Vota e diasporës – Ngarkesa e dytë mbërrin në Tiranë. Monitorim nga mediet, KQZ dhe partitë
RTSH ka monitoruar nga afër procesin e mbërritjes së votave të diasporës nga Aeroporti i Rinasit deri te transportimi i tyre me automjetin e DHL-së drejt ambientit të Parkut Olimpik, ku është ngritur KZAZ-ja e posaçme që po e administron këtë proces të veçantë për diasporën, të realizuar për herë të parë në Shqipëri.
Përfaqësuesit e partive politike, Marash Logu nga Partia Demokratike dhe Elena Xhino nga Partia Socialiste e ndoqën nga afër procesin.
Ngarkesa e dytë, me mbi 3.200 pako me fletë votimi, e ka çuar në rreth 4.000 numrin total të votave të emigrantëve, që tashmë e kanë shprehur vullnetin e tyre.
Pas skanimit dhe ndarjes sipas qarqeve përkatëse, zarfet e depozituara në Parkun Olimpik do të qëndrojnë aty deri në përfundimin e zgjedhjeve të 11 majit. Numërimi i votave do të zhvillohet gjithashtu në të njëjtin ambient.
Sipas të dhënave të KQZ-së, mbi 58 mijë zarfe janë marrë në dorëzim nga qytetarët, që do të shprehin vullnetin e tyre në ditët në vijim për parlamentaret. Ndërkohë, pjesa e mbetur e zarfeve me fletë votimi po përgatitet nga administrata e KQZ-së.
Edhe për qarqet e Tiranës dhe Vlorës, që mbetën për në fund të procesit, ka nisur tashmë shpërndarja e fletëve të votimit.
Në total, rreth 250 mijë shqiptarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.
I gjithë procesi po monitorohet nga kamerat e sigurisë, përfaqësuesit e partive politike dhe misionet ndërkombëtare.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




