Votimi i diasporës nga Greqia, Rama: Problematikat janë zgjidhur, zarfet janë shpërndarë

Një javë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 11 majit, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh drejtuar shqiptarëve të diasporës në Greqi, ku u kërkon që të marrin zarfet e votimit dhe të mos humbasin atë të cilën ai e cilëson si një “mundësi historike për një takim me historinë”.
Kreu i qeverisë u bën thirrje dhe shqiptarëve në Greqi, të regjistruar në platformën PER dhe që kanë marrë zarfet në banesa, që t’i kthejnë ato drejt Shqipërisë.
Rama bëri me dije se në nisje të procesit ka pasur problematika me shpërndarjen, kompaninë, por tanimë, sikurse thekson ai, gjërat janë vënë në vijë.
“Thirrje, lutje mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi, që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë. Është mundësi historike për të qenë votues për herë të parë jashtë kufijve të Shqipërisë, por edhe një takim me historinë për të kyçur përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e madhe të BE-së.
Ka pasur një problematikë për fat të keq në ditët e para me shpërndarjen, kompaninë, etj, por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë. Zarfat janë shpërndarë nëpër destinacionet e ndryshme. Keni gjithë informacionet e nevojshme për të kuptuar se çfarë duhet të bëni dhe për të mos përtuar t’I tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes të kompanisë. Nëse i keni marrë zarfet në shtëpi të veproni duke I kthyer ato drejt Shqipërisë me numrin 5” deklaron Rama në një video shpërndarë në rrjetin social Facebook.
Ndërkohë, nga ana tjetër, Partia Demokratike i ka dërguar një letër KQZ-së ku kërkon marrjen e masave për një sërë parregullsish të pretenduara prej tyre në Greqi. Sipas PD, këto parregullsi krijojnë hapësira për abuzime.
Ndalur më tej te çështja e njohjes së pensioneve me Greqinë, Rama shprehet se negociatat me qeverinë greke kanë nisur dhe se vullneti nga të dyja palët është pozitiv.
“Ky votim është me një rëndësoi të veçantë sidomos për shqiptarët në Greqi, që ende nuk kanë pasaportën dhe janë future në ankthin e padrejtë të njohjes së pensionit. Njohja e pensionit bëhen me marrëveshje, negociatat me qeverinë greke kanë nisur, nuk e dimë sa kohë mund të marrë. Vullneti ynë është i plotë, vullneti i qeverisë greke është shumë pozitiv, por duke u nisur nga eksperienca e marrëveshjes me Italinë qeë u deshën vite të tëra, por e deshi fati që të më dilte një motër ne Romë dhe të përshpejtoheshin gjerat”, përfundoi ai.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




