Vrasja e 14-vjeçarit debatohet në Kuvend, Zhupa-Ballës: Qeveria po vret shpresën

Politikë | 2 vite më parë

Vrasja e 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli” ditën e djeshme, ka qenë në fokus të seancës së sotme plenare, ku opozita ka bërë akuza të rënda kundrejt mazhorancës që hesht për tragjedinë dhe merret me politikë.

Në fjalën e saj deputetja Ina Zhupa deklaroi se vrasjet që po trondisin vendin kanë motiv qeverinë, që “po vret shpresën e shqiptarëve”.

“Thatë nuk duhet të bëjmë politikë, por vdekja dhe tragjedia mbetet. Na dhemb njësoj pavarësisht moshës. Nëse ti mendon se nuk ka përgjegjësi Ministria e Arsimit, policia, edukatorët, drejtorët, mësuesit e të gjithë ne bashkë, e të rrimë të heshtim e të flasim për buxhetin, atëherë ju jetoni në një realitet që nuk i përgjigjet Shqipërisë.

Z. Balla ju keni përdhunuar dinjitetin e shqiptarëve, keni vrarë shqiptarët me hënkshi kokat tuaja, s’keni pasur mundësi me dalë me armë se do na shfarosnit si opozitë, nxisni urrejtje. Turpërohuni për atë që i keni bërë Shqipërisë në çdo sektor.

Ato vrasjet janë vrasje që kanë një motivim, këtë qeveri të papërgjegjshme që po vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve”, deklaroi Zhupa.

Por ministri Balla nga ana e tij, u shpreh se opozita përdor tragjeditë për debate politike. Po ashtu, Balla i bëri thirrje opozitës që të bëhet bashkë me mazhorancën për të kaluar në Kuvend propozimet e depozituara për perimetrin e sigurisë në shkollë.

“Është një përgjegjësi që na takon të gjithëve.. Kjo përgjegjësi bëhet më e madhe kur ngjarje kaq të rënda keqpërdoren për debatin politik të ditës.

Paketa e sigurisë në shkolla, duhet qasje krejtësisht tjetër për garantimin e perimetrit të sigurisë në shkolla, luftës kundër keqpërdorimit të rrjeteve sociale, luftës kundër përdorimit të lëndëve narkotike.

E dashur kolege, sot kemi nevojë për tu bashkuar me njëri-tjetrin për të kaluar propozimet e depozituara prej kohësh për perimetrin e sigurisë”, tha Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme