Vrasja e regjisorit dhe producentes në Los Angeles, arrestohet djali i tyre

Nick Reiner, 32 vjeç, u arrestua të dielën në mbrëmje në Los Angeles dhe është akuzuar për vrasjen e prindërve të tij, regjisorit të famshëm të Hollivudit Rob Reiner dhe gruas së tij, producentes Michele Singer Reiner. Ai ndodhet aktualisht në paraburgim dhe nuk i është caktuar lirim me kusht.
Shefi i Policisë së Los Angelesit, Jim McDonnell, deklaroi të hënën se pas hetimeve fillestare u përcaktua se Nick Reiner ishte përgjegjës për vdekjet e çiftit. Rasti pritet t’i paraqitet Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Los Angelesit, e cila do të vendosë nëse do të ngrihen zyrtarisht akuza penale.
Rob Reiner dhe Michele Singer Reiner u gjetën të vdekur të dielën në shtëpinë e tyre në Brentwood, një zonë elitare në perëndim të Los Angelesit. Trupat u gjetën nga vajza e tyre, Romy. Sipas raportimeve të CBS News, çifti kishte plagë të shumta me thikë, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik.
Autoritetet kanë konfirmuar se bëhet fjalë për vrasje, por nuk kanë zbuluar ende një motiv të dyshuar. Megjithatë, në rrjetet sociale kanë qarkulluar teori të ndryshme, të cilat nuk janë mbështetur nga policia.
Rob Reiner ishte i njohur për regjinë e filmave të famshëm si This Is Spinal Tap, When Harry Met Sally dhe The Princess Bride. Ai dhe Michele Reiner ishin të martuar prej 36 vitesh dhe kishin tre fëmijë.
Familja kishte folur më parë publikisht për problemet e Nick Reiner me varësinë nga droga dhe abuzimin me substanca. Këto përvoja u reflektuan edhe në filmin gjysmë-autobiografik Being Charlie (2015), të cilin babë e bir e shkruan dhe e realizuan së bashku, duke e përshkruar atë si një periudhë të vështirë, por që kishte ndihmuar në afrimin e tyre si familje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




