Vrasja me thikë e 14 vjeçarit pranë shkollës, arrestohet një nga autorët

Aktualitet | 2 vite më parë

Arrestohet një nga bashkëautorët e vrasjes së 14-vjeçarit Martin C. Policia ka vënë në pranga të miturin pasi akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ngjarja tragjike ndodhi ditën e djeshme (19 nëntor) në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ku për motive të dobëta, 3 të mitur u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe si pasojë e plagëve të marra nga thika, 14 vjeçari Martin C., humbi jetën në spitalin e Traumës.

“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e  Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.

Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.

Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme