Zgjedhjet e 11 majit- Rama dhe Berisha do votojnë në orët e paradites të kësaj të diele

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që mbahen sot në të gjithë vendin ku shqiptarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre për Kuvendin e ri Shqipërisë, dy drejtuesit kryesorë të forcave më të madhe politike në vend përkatësisht kryesocialisti Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha do të votojnë në orët e paradites të kësaj të diele.
Kështu bëhet e ditur se kryedemokrati Berisha do të votojë në orën 10:00 të ditës së sotme.
“Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në kuadër të Zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit 2025, ditën e diel, në ora 10:00, do të votojë pranë qendrës së votimit të vendosur në ambientet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, në Tiranë”, thuhet në njoftimin e Partisë Demokratike.
Janë rreth 3 milionë e 713 mijë qytetarë që këtë vit gëzojnë të drejtën e votës. 114 mijë do të votojnë për herë të parë dhe po për herë të parë, procesit i është bashkuar edhe diaspora me gati 245 mijë votues.
Në fletën e votimit janë këto 11 subjekte politike, të cilat kanë shpërndarë secila nga 186 kandidatë për deputetë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë:
Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore i drejtuar nga Sali Berisha
Lëvizja Bashkë e drejtuar nga Arlind Qori
Lëvizja Atdheu e drejtuar nga Kreshnik Osmani
Koalicioni Euroatlantik i drejtuar nga Endri Hasa
Partia Socialiste e Shqipërisë e drejtuar nga Edi Rama
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet i drejtuar nga Adriatik Lapaj
Aleanca Kombëtare Shqiptare e drejtuar nga Elena Kocaqi
Aleanca Demokracia e Re e drejtuar nga Edmond Stojku
Koalicioni Djathtas për Zhvillim i drejtuar nga Dashamir Shehi
Partia Mundësia e drejtuar nga Agron Shehaj
Partia Socialdemokrate e drejtuar nga Tom Doshi
Orari zyrtar i votimit nëpër qendrat e ndryshme të vendit është 7:00 deri në 19:00. Ora 7 e pasdites është po ashtu limiti për pranimin e fletëvotimeve që do të vijnë me postë nga diaspora. Përndryshe votat nga jashtë përtej këtij orari do të konsiderohen të pavlefshme. Procesi monitorohet nga mbi 2.100 vëzhgues.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



