Zjarret në Patos-Mallakastër, Shefi i Emergjencave Fier: Vumë nën kontroll një nga zjarret më të vështira

Aktualitet | 2 muaj më parë

Shefi i Emergjencave pranë Prefekturës së Fierit, Kreshnik Ymeraj, ka reaguar për situatën e zjarreve në qarkun e Fierit, duke falënderuar të gjitha strukturat dhe forcat që prej ditësh janë angazhuar në terren për përballimin e flakëve.

Ymeraj shprehet se, pas ndërhyrjeve të vazhdueshme nga toka dhe ajri, është arritur të vihet nën kontroll një nga vatrat më të vështira të zjarrit në qarkun e Fierit.

“Duke falënderuar gjithsecilin që ka operuar sot në terren, por edhe gjatë ditëve të mëparshme, besoj se kemi arritur të vëmë nën kontroll një nga zjarret më të vështira në qarkun Fier. Strukturat e bashkive Mallakastër dhe Patos do të jenë ne monitorim të vazhdueshëm ne gjithë perimetrin e vatrës së zjarrit. Një falënderim dhe mirënjohje e veçantë shkon për të gjitha trupat e Forcave të Armatosura, Bazën Ajrore Farkë, AKMC-në, Efektivet e Mzsh-ve, të cilat janë angazhuar këto ditë në terren”, tha ai  

Pavarësisht se situata në disa zona është përmirësuar, operacionet vijojnë në territorin e Patosit dhe Mallakastrës. Strukturat e bashkive përkatëse do të qëndrojnë në monitorim të vazhdueshëm të perimetrit të vatrave, për të parandaluar përhapjen apo riaktivizimin e flakëve.

Një vatër zjarri vijon të jetë aktive në ekonominë pyjore Lofkënd-Ngraçije, në Bashkinë Mallakastër. Në terren po punohet për izolimin dhe frenimin e flakëve, ndërsa në operacion janë angazhuar 30 trupa të Forcave të Armatosura, 10 efektivë të Policisë Bashkiake, 15 punonjës të Shërbimeve Publike dhe 5 efektivë të MZSH-së, të mbështetur nga një automjet zjarrfikës.

Ndërkohë, në drejtim të ekonomisë pyjore Gjinoqarë, po ndërhyjnë strukturat e MZSH Patos me dy automjete zjarrfikëse dhe 10 efektivë.

Sipas të dhënave nga terreni, zjarri vijon të ketë një perimetër të zgjeruar, por intensiteti i flakëve është më i ulët, çka ka lehtësuar ndërhyrjen e forcave të angazhuara.

Forcat në terren po punojnë në disa drejtime për të kufizuar përhapjen e flakëve dhe për të izoluar vatrat aktive. Ndërkohë, situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme