Zjarret në vend/ Përmirësohet situata, aktive mbeten 4 vatra në Pukë, Mirditë dhe Dajt

Vatrat e zjarrit në Pukë, Mirditë dhe Malin e Dajtit mbeten zonat kryesore problematike, ndërsa zjarri në Dukat është shuar dhe vatrat e tjera janë nën monitorim.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 14:00 janë raportuar gjithsej 11 vatra zjarri, nga të cilat 4 vijojnë aktive dhe 7 janë nën mbikëqyrje.
Situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, por disa vatra vijojnë të jenë aktive dhe kërkojnë ndërhyrje të forcave në terren dhe nga ajri.
Në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon operacioni i gjerë për shuarjen e zjarrit. Ndërhyrja nga toka dhe ajri ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës si në Gojan të Madh, ashtu edhe në Gojan të Vogël. Në operacion janë angazhuar forca zjarrfikëse, shërbimi pyjor, strukturat vendore, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa ndërhyrja mbështetet edhe nga dy helikopterë.
Në Shtanë–Tenë, Mirditë, operacioni vijon me forca të MZSH-së, strukturave vendore, shërbimit pyjor dhe Forcave të Armatosura. Aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Edhe në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja për izolimin e vatrave. Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, punonjës të ADZM-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri dhe dy avionëve “Air Tractor”. Edhe këtu nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Shtuf të Mirditës, vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe po monitorohet nga strukturat vendore.
Ndërkohë, në Dukat, pas ndërhyrjes së forcave tokësore dhe mbështetjes së Forcave të Armatosura, zjarri është shuar dhe zona po mbahet nën mbikëqyrje. Edhe vatrat e raportuara në Dibër, Lezhë, Elbasan dhe Vlorë janë nën monitorim.
Në operacionet e ditës janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 150 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 automjete zjarrfikëse, 1 ekskavator i rëndë, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




