6 vatra zjarri aktive në vend, problematikat kryesore në Pukë dhe Mirditë. Era riaktivizon flakët gjatë natës

Aktualitet | 2 muaj më parë

Gjashtë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa katër të tjera mbeten nën mbikëqyrje. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes , gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, ku situata më problematike paraqitet në Gojan–Gjegjan të Pukës dhe në disa zona të Mirditës, ku vijon ndërhyrja e forcave në terren.

Në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon operacioni i përforcuar për izolimin dhe shuarjen e vatrave. Në terren janë angazhuar 190 forca, përfshirë efektivë të MZSH-së, punonjës të Shërbimit Pyjor, shërbimeve vendore, Forcave të Armatosura dhe banorë e vullnetarë të zonës. Në mbështetje të operacionit janë vendosur edhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura, një ekskavator dhe mjete zjarrfikëse.

Në Tenë të Mirditës, zjarri vijon të jetë aktiv, por aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat. Operacioni po zhvillohet me angazhimin e 30 efektivëve të Forcave të Armatosura, mjeteve zjarrfikëse dhe strukturave vendore.

Edhe në Shtuf të Mirditës vatra mbetet aktive. Ndërhyrja vijon në zonat ku e mundëson terreni, ndërsa pjesët e thepisura vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.

Në Bërshi të Klosit, disa vatra janë riaktivizuar gjatë natës për shkak të erës, pas situatës së vënë nën kontroll. Në operacion janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe mjete zjarrfikëse.

Në Dukat të Vlorës, vatra vijon aktive, por me intensitet të ulët dhe aktualisht nuk përbën rrezik për banesat. Në terren operojnë 77 forca, mes tyre 55 efektivë të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, në Malin e Dajtit, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht, ndërsa vijon ndërhyrja për shuarjen e vatrave të mbetura. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në operacionet e 24 orëve të fundit janë angazhuar gjithsej 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme