Ish-presidenti Moisiu-partive: Mendoni për Shqipërinë më shumë se për karriget

Politikë | 2 vite më parë

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ish-presidenti Alfred Moisiu tha se partitë politike duhet të mendojnë më shumë për një Shqipëri më të mirë, ku do të rriten fëmijët në të ardhmen.

Këtë mesazh, ish-presidenti e dha gjatë ceremonisë së organizuar nga Federata e Paqes Universale në Shqipëri, ku salla e konferencave nga sot do të mbajë emrin e ish-presidentit.

“Mesazhi im është ai që ka qenë gjithmonë. Të mendojmë për Shqipërinë. Të mendojmë për të ardhmen e vendit tonë. Të mendojmë për ardhmërinë e rinisë, që ta bëjmë atë sa më të bukur, sa më të pasur dhe sa më të zhvilluar. Dhe të mendojmë më pak për karrigen, aq më tepër që gjithë këto vite i është më shumë përparësi interesit personal,” u shpreh ish-kreu i shtetit.

Ky vlerësim për ish-presidentin Moisiu erdhi në saje të kontributit të tij shumëvjeçar si kryetar i Këshillit të Lartë të Paqes për Ballkanin.

“Fondacioni është një kënaqësi e madhe për mua, sepse vërtet kam kohë që punoj me të, por duhet thënë që është bërë një punë shumë e madhe. Tre janë destinacionet kryesore të Federatës: të punësojë familjet shqiptare, t’ju vijmë në ndihmë njerëzve të pamundur dhe e treta, të ruajmë paqen në rajon,” tha z. Moisiu.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të larta nga Shqipëria dhe më gjerë.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme