Balla në Miçigan, thirrje për regjistrimin e shqiptarëve në zgjedhjet e 11 majit

Taulant Balla, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, ka nisur një turne informues për votën e emigrantëve, duke zhvilluar takime me shqiptarët që jetojnë në shtetin e Miçiganit në SHBA.
Gjatë vizitës në Detroit, ai takoi drejtuesit e Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe përfaqësues të komuniteteve fetare shqiptare, me të cilët diskutoi për rëndësinë e regjistrimit të bashkatdhetarëve për zgjedhjet e 11 majit.
Balla vlerësoi angazhimin e “Vatrës” për ruajtjen e kulturës dhe traditave shqiptare, si dhe për lobimin në interes të çështjeve shqiptare në SHBA. Ai theksoi se regjistrimi i votuesve nga jashtë është një hap i rëndësishëm për forcimin e demokracisë shqiptare dhe u bëri thirrje komuniteteve shqiptare që të ndihmojnë në këtë proces, duke përmendur afatin e regjistrimit deri më 4 mars.
Ndër të tjera, Balla propozoi hapjen e një konsullate shqiptare në Miçigan për të lehtësuar nevojat e rreth 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës, duke përmendur krijimin e një abetareje të përbashkët me Kosovën.
Në fund, Balla nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm historik, jo vetëm si anëtare e NATO-s, por edhe në fazën përfundimtare të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Ai ftoi të gjithë shqiptarët që të kontribuojnë për të ardhmen e vendit përmes pjesëmarrjes në proceset demokratike.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




