Spiropali takon homologun britanik: Rrisim bashkëpunimin për sigurinë dhe emigracionin

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka nisur këtë të mërkurë (15 janar) vizitën zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë vizitës Spiropali zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Lindsay Hoyle, ku u diskutua mbi bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Bashkëpunimi me Parlamentin britanik është një prioritet i Kuvendit dhe niveli më i lartë i marrëdhënieve dypalëshe. Ndërveprimi ynë synon thellimin e reformave, mbështetjen e zhvillimit ekonomik, fuqizimin e institucioneve demokratike, sigurinë dhe mbrojtjen e paqes, turizmin, inovacionin, arsimin, kulturën dhe nismat e tjera dypalëshe. Bashkëpunimi ynë i suksesshëm në luftën kundër emigrimit ilegal përfshin edhe projektet e programet mbështetëse për investime dhe punësimin e rinisë në disa zona të Veriut. Në Mbretërinë e Bashkuar jeton një komunitet i madh i Diasporës shqiptare, aktiv dhe i mirintegruar, i cili shërben si një urë miqësie e bashkëpunimi mes dy vendeve”, theksoi Spiropali.
Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme nga Mbretëria e Bashkuar të integrimeve dhe perspektivës euro-atlantike të Kosovës si edhe të bashkëpunimit të saj me NATO-n.
“Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar do të vijojnë bashkëpunimin për mbështetjen e vendosur dhe të palëkundur për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në koherencë të plotë me qëndrimet e BE-së dhe NATO-s”, tha ajo.
Në këtë vizitë kryeparlamentarja shoqërohet nga deputetët Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Eduard Shalsi, Blerina Gjylameti, Lavdrim Krashi, Lefter Gështenja si edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar Uran Ferizi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




