Zyrtari i lartë amerikan, Richard Verma vizitë në Shqipëri, Kosovë e Serbi

Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma do të udhëtojë drejt Shqipërisë, Kosovës, dhe Serbisë në datat 7-11 janar.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, në Tiranë, ai do të diskutojë progresin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.
“Ai do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë”, shkruan DASH.
Në Kosovë, ai do të diskutojë normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike.
Në Serbi, sipas DASH, zëvendëssekretari do të theksojë partneritetin strategjik SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike.
“Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e shtetit të së drejtës dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh në çështjet ushtarake dhe të sigurisë”, njofton DASH.
Sipas DASH, përmes këtyre vizitave, Verma pritet të riafirmojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor “ndërsa ata ndjekin integrimin euro-atlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




