Kërkon heqjen e sekuestros së 2 banesave, Kryemadhi: Çështja do të përfundojë në Strasburg

Politikë | 2 vite më parë

Deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi u paraqit sot në Apelin e GJKKO-së, ku u shqyrtua kërkesa e saj për heqjen e sekuestros ndaj dy banesave në emër të saj dhe nënës së saj. Vendimi i Gjykatës pritet të shpallet të martën (17 dhjetor), ndërsa për mediat, Kryemadhi tha se SPAK, sipas saj nuk ka marrë ekspertë financiarë, por “ka qëndruar në kuadrin e thashethemeve”. Ajo tha se do të ndjekë të gjithë hapat ligjorë lidhur me këtë çështje, duke shtuar se do ta çojë deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Janë apartamente nuk janë vila, më tha pse kam marrë kredi. Mamaja ime ka jetuar vetë në atë shtëpi që e ka blerë me kredi. Prokuroria nuk ka marrë ekspert financiar, kanë qëndruar në kuadrin e thashethemeve, edhe pse unë dhe mamaja ime kemi dorëzuar raporte financiare të licencuara, nuk e kanë marrë parasysh. Pretendimi është që meqë dyshohet Ilir Meta për çështjen CEZ DIA dhe mamaja jote ka lerë shtëpi në mars të 2010. Janë justifikime, ndërkohë që për të hetuar për CEZ DIA kanë që në shkurt të 2018 dhe pse nuk e paskan hetuar që në 2018çështjen e shtëpisë së mamasë time. Në vlerën që kanë përmendur për të intimiduar, bëhet fjalë për 310 mijë euro. Do t’i ndjek të gjitha proceduar ligjore dhe jam e bindur që kjo çështje do të përfundojë në Strasburg”, tha Kryemadhi.

E pyetur se ku do të jetojë tashmë që banesat janë sekuestruar, ajo u përgjigj: “Problem i madh, në çadër. Sa ka në çadër nga tërmeti. Do marrim ndonjë kontejner”.

Kryemadhi u paraqit në Apelin e GJKKO duke mbajtur një bastun, teksa për gazetarët tha se shkak ishte bërë një dëmtim në gju.

“Ju e dini që unë bëj palestër shumë dhe e kam vrarë pak gjurin, por edhe më pëlqen ky bastuni me thënë të drejtën se është shumë trend”, u shpreh ajo.

Monika Kryemadhi është nën hetim për akuzat e korrupsionit dhe mosdeklarimit të pasurisë. Vendimi për sekuestrimin e pasurisë është lidhur me hetimet ndaj Kryemadhit, ndërsa më 19 nëntor Gjykata e Apelit la në fuqi masën “Detyrim paraqitje”.

Kujtojmë se në burg ndodhet ish-presidenti, Ilir Meta, ish-bashkëshorti i Kryemadhit, pasi akuzohet për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish, me dyshime të nisura që nga çështja CEZ-DIA.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme