Shpenzimet e turistëve në fundvit – Në Korçë, vetëm për festa 2.5 milionë euro

Festat e fundvitit kanë rezultuar të mbara për bizneset e Korçës, që pritën në hotelet dhe bujtinat e tyre si dhe u shërbyen mijëra vizitorëve. Duke iu referuar vetëm subjekteve që janë nën juridiksionin e Bashkisë së Korçës, vetëm për 10 ditët e fundit të vitit janë shpenzuar minimalisht 2,5 milionë euro.
Festat e fundvitit kanë ndikuar mjaft mirë në të ardhurat e bizneseve të Korçës, pasi pothuajse të gjitha njësitë akomuduese kanë qenë të rezervuara me kapacitet të plotë. Sipas të dhënave nga subjektet që operojnë nën juridiksionin e Bashkisë së Korçës, përfshirë qytetin dhe fshatrat kryesore turistike të Boboshticës, Dardhës dhe Voskopojës, vetëm në 10 ditët e fundit të vitit të kaluar, janë shpenzuar minimalisht 2.5 milionë euro.
Eksperti i ekonomisë, Fatmir Ceci, tha për RTSH-në, se “me katër mijë shtretër që ka Korça në dispozicion të shfrytëzueshme dhe duke marr për një individë të paktën 50 euro llogariten që të paktën në qytet të hyjnë 2 milion Euro. Duke llogaritur dhe shpenzimet e tjera si restoranti apo shërbime të tjera që turistët marrin në Korçë shifra shkon 2.5 milion euro”
Rritja e numrit të vizitorëve në Korçë ka detyruar operatorët turistikë të rritin kapacitetet akomuduese.
“Korça ka një trend të shtimit të investimeve për akomodim dhe kjo sasi e madhe e investimeve ka çuar dhe në rritjen e cilësisë për turistët.”
Shifrat zyrtare nga ana e bashkisë së Korçës tregojnë se ky qytet dhe fshatrat turistikë gjatë vitit 2024 janë vizituar nga gati gjysmë milionë vizitorë vendas dhe të huaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




