Dënimi i krimeve të komunizmit, Ndregjoni: Shqipëria të marrë shembull nga SHBA

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, përmes një deklarate për mediet nga Shkodra, përshëndeti Kongresin amerikan, i cili para pak ditësh me shumicë votash miratoi rezolutën për mësimin e krimeve të komunizmit në shkolla e mesme amerikane.
“Rezoluta H.R.5349 është akt vendimtar për mësimin e së vërtetës rreth komunizmit në shkollat amerikane. Në shkollat shqiptare diktatori nderohet, ai që vrau elitën shqiptare, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nuk kanë provuar as një orë regjim komunist, i dënojnë krimet e komunizmit,” deklaroi Besim Ndregjoni, kryetar i Unionit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.
Ndregjoni tha se ky akt duhet të shërbejë si një mësim i mirë për politikën shqiptare për të dënuar krimet e komunizmit.
“Që në fillim të vitit 2024, së bashku me tri komunitetet fetare, u kërkuam institucioneve shtetërore që Shqipëria të bashkohet me Europën për t’i dënuar krimet e komunizmit me ligj. Këto institucione kanë zgjedhur heshtjen ndaj këtyre krimeve. Presidenti hesht, parlamenti hesht, qeveria, fatkeqësisht edhe opozita i është bashkuar heshtjes. I drejtohemi Prokurorisë shqiptare që të lejojë që në vendet ku mendohet se janë pushkatuar, të gjejmë eshtrat e të zhdukurve. Përgjigjja e tyre është aq antikombëtare dhe aspak ligjore e njerëzore: ‘Nuk kemi ligj për të lejuar’,” u shpreh z. Ndregjoni.
Në aktivitetin e organizuar në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër morën pjesë anëtarë të Unionit dhe familjarë të ish-të përndjekurve politikë, të cilët panë nga afër edhe qelitë e ish-të burgosurve.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




