Meningjiti, epidemiologu: Sëmundje e rrallë, por e rrezikshme. Ja simptomat që shfaq

Një 17-vjeçare nga Durrësi ndërroi jetë, pasi ishte prekur nga sëmundja e meningjitit. Adoleshentja ishte dërguar në spitalin rajonal të Durrësit ditën e shtunë (14 dhjetor), por për shkak të gjendjes së rënduar ajo u transferua në Tiranë.
Edhe pse ekziston një vaksinë për meningjitin, autoritetet shëndetësore kanë rekomandime specifike se kush duhet ta marrë vaksinën.
Por çfarë është meningjiti, si ndikon në trupin e njeriut, cilat janë shkaqet e simptomat dhe sa i rrezikshëm është? Këtyre pyetjeve u ka dhënë përgjigje epidemiologu Ilir Alimehmeti në “Mirëmëngjesi Shqipëri”.
Alimehmeti u shpreh se kjo sëmundje është e rrallë, por nëse ndodh, rrezikshmëria është tejet e lartë.
Ai bëri me dije se simptomat e kësaj sëmundje janë shumë të forta, pasi shoqërohet me konfuzion, përçartje, përgjumje dhe qafë e ngurtë.
“Meningjiti është sëmundje që ne e njohim, është një inflamacion i cipave të trurit dhe palcës së kockave dhe mund të shkaktohet nga elementë të ndryshëm: viruse; baktere; arsye të tjera.
Në këtë rast, pasi nuk është bërë ende zyrtar shkaku, mendohet për shkak moshës të ketë qenë meningjit bakterial, që ne e quajmë invaziv. Janë raste të rralla, por kur ndodhin janë raste të rënda. Nuk ka një panik komunitar, por kur ndodh, vdekshmëria në Europë nën trajtim është rreth 15%, pa trajtim edhe më e lartë. Por fatmirësisht është e rrallë”, deklaroi mjeku.
Ai shtoi se, tre janë grupmoshat që preken nga kjo lloj sëmundje: në grupin e parë hyjnë foshnjat, në grupin e dytë paraadoleshentët dhe adoleshentët dhe në grupin e tretë moshat mbi 60 vjeç.
“Këto baktere ndodhin në fytin e njerëzve. Transmetohen nga njeriu te njeriu, te disa njerëz zhvillojnë sëmundjen. Kemi vënë re se riskun më të lartë e kanë foshnjat, më pas grupi i dytë vijnë pre adoleshentët dhe adoleshentët dhe më pas moshat mbi 60 vjeç.
Është sëmundje e rëndë, e shpejtë dhe auto izolohet pasi kapet herët me shenja shumë të rënda që të detyrojnë të shkosh te mjeku.
Janë goxha të forta si simptoma, ka konfuzion, përçartje, përgjumje, qafë e ngurtë, një lloj rashi në lëkurë. Janë shenja të dukshme që kufizon lëvizjen e pacientit dhe përhapjen e sëmundjes. Njohuritë e njerëzve janë të kufizuara. Ne dimë se adoleshentët mbartin në fytin e tyre këto lloj bakteresh.
Duke pasur më shumë njerëz që mbartin këto baktere në fytin dhe hundën e tyre, është mundësia më e madhe që të zhvillohet sëmundja këtu”, sqaroi Alimehmeti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




