Osmani: Mbështetja e Clintonit për Kosovën, pasqyrim i vlerave amerikane

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se mbështetja e Bill Clintonit për Kosovën është pasqyrim i vlerave amerikane.
Këtë deklaratë Osmani e bëri në Berlin teksa mbajti një fjalim për presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.
“Mbrëmë në Berlin, pata nderin ta lexoj një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”. Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur”, shkruan Osmani në rrjetin social në Facebook.
Ajo ka falënderuar ish-presidentin amerikan jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara.
“Faleminderit, president Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, shkruan më tej Osmani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




