Transformimi digjital i shërbimeve financiare, Shqipëria bën hapa përpara, por kërkohet përfshirje më e madhe e popullatës
Banka e Shqipërisë dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë organizuan forumin e biznesit me temë: “E ardhmja është tani: Si po riformëson inovacioni shërbimet financiare shqiptare në 2025.”
Takimi vjen në një kohë kur Shqipëria po përjeton një transformim digjital në fushën e pagesave dhe bankingut, të cilat po ndikojnë rritjen e efikasitetit të pagesave dhe sjellin një përfshirje më të madhe të popullatës dhe komunitetit të biznesit në shërbimet financiare.
“Jemi besimplotë se bankingu i hapur do të ulë kostot e shërbimit, do të rrisë shpejtësinë e pagesave elektronike si dhe do të përmirësojë përvojën e përdoruesve në një sektor bankar. Kemi kontribuar edhe në rritjen e ndjeshme të konkurrencës dhe vijojmë të jemi në linjë me prioritete të tjera të Bankës së Shqipërisë, atë të rritjes së përfshirjes financiare dhe nxitjes së rritjes ekonomike në vend”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Për Dritan Mullain, Drejtor i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Industrisë, zhvillimet e fundit janë të lidhura ngushtë me sipërmarrjen dhe lehtësimin e tregtisë me jashtë.
“‘Open Banking’ po e revolucionarizon sektorin financiar në Shqipëri, duke e përafruar me standardet globale. Kjo ndodh në kohën kur Shqipëria është bërë pjesë e SEPA, duke ndërmarrë një hap tjetër drejt integrimit financiar me vendet e BE-së dhe që do të lehtësojë transaksionet me këto vende, duke mbështetur tregtinë dhe investimet”, u shpreh ai.
Mullai vuri gjithashtu theksin tek nevoja për një ndërgjegjësim më të madh të popullatës dhe komunitetit të biznesit sa i përket zhvillimeve në fushën e shërbimeve financiare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




