Berisha me banorët e njësisë 8 në Tiranë: S’do të ketë urbanizim përpara legalizimit

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se nuk do të ketë urbanizim pa kryer procesin e legalizimit.
Në një bashkëbisedim me banorët e njësisë 8 në kryeqytet Berisha tha se procesi i legalizimit do të realizohet përpara atij të urbanizimit.
Gjithashtu ai vuri në dukje se pronarët e tokave të zëna do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit.
“E kam shprehur edhe në takime të tjera, të gjithë ata që kanë marrë dokumentet me të cilat kjo qeveri e mban peng dokumentin përfundimtar të legalizimit dhe legalizimi do shpallet pa asnjë akt, pa asnjë pagesë.
Së pari. Së dyti, garantoj pronarët e tokës së zënë se ata do dëmshpërblehen me vlerë tregu nga qeveria.
Po, ne do bëjmë të drejtën siç është për t’u bërë. Së treti, nuk do ketë urbanizim para legalizimit. Do ketë legalizim para urbanizimit.
Se këta me këtë punë e bllokuan procesin”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi më tej se pas procesit të legalizimit në mënyrë të rregullt askush nuk bëhet pengesë. Ndërsa solli si shembull kur tha se “ne ndërtuam 11.300 kilometra rrugë dhe në mënyrë absolute kemi pasur vetëm një protestë te Shkolla Teknologjike”.
“Ne do e legalizojmë dhe pastaj askush nuk e pengon rrugën aty ku duhet të kalojë. Ne ndërtuam 11.300 kilometra rrugë dhe në mënyrë absolute kemi pasur vetëm një protestë te Shkolla Teknologjike. I thashë ministrit që do shpronësohen me tarifa tregu. U ul me ta dhe protesta u ndërpre
E treta, qesharake bonuset për qiratë. I prish shtëpinë, e vendos në një ndërtesë dhe u jep gjysmën e qirasë. Do e paguash të plotë qiranë me çmim tregu.
Në qoftë se veprohet në këtë mënyrë qytetarët kanë besim tek qeveria dhe ligji. Në radhë të parë kanë besim tek e drejta që këta nuk dhunohen në mënyrë të padrejtë.
Unë u garantoj ju se këto pika të përcaktuara bashkërisht, këto firmosen këtu para jush nga Sali Berisha dhe do të jetë një nga aktet e para të qeverisë”, theksoi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




