Agjencia e Mbikëqyrjes Policore procedon në gjendje të lirë dy punonjës policie, në pranga 25-vjeçari  

Aktualitet | 2 vite më parë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka proceduar në gjendje të lirë dy punonjës policie, babë e bir, ndërsa djali i tjetër i familjes është arrestuar.

Aktiviteti i palicencuar në lokal ka çuar në pranga një 25-vjeçar i dyshuar që menaxhonte një bar-kafe dhe kryente aktivitet të paligjshëm lojërash fati, por edhe dy familjarët e tij u morën nën akuzë nga AMP, respektivisht babai dhe vëllai i të riut, njëkohësisht efektivë policie.

Nw njoftimin e bwrw publik, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) njoftoi se “pas një hetimi disa mujor nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, arrestoi në flagrancë shtetasin F. D., 25 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore etj”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

AMP po ashtu ka proceduar në gjendje të lirë për “Shpërdorim detyre” edhe punonjësit e policisë (vëllai dhe babai); Inspektor G. D., 28 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Stacionin e Policisë Përrenjas dhe Inspektor H. D., 63 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Peqin.

Sipas të njëjta burime nga AMP “arrestimi i shtetasit F. D. u krye pasi nga kontrolli i biznesit Bar Kafe në pronësi të familjes, i cili rezultonte i palicensuar, u siguruan prova dhe fakte që ata e kishin përshtatur ambientet e këtij biznesi për organizimin e palejuar të lojërave të fatit”.

“Nga kontrolli i ushtruar në biznesin Bar Kafe, u sekuestrua një armë e ftohtë e llojit thikë, një telefon celular, si dhe shumat monetare prej 612,700 lekë dhe 550 euro të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm”, njoftoi AMP.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme