Policia Rrugore e Tiranës ndëshkon brenda 1 jave, 12 852 drejtues automjetesh për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor

Policia Rrugore e Tiranës ka forcuar masat monitoruese dhe ato ndëshkuese ndaj drejtuesve të automjeteve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor në kryeqytet.
Vetëm brenda 1 jave, policia ka ndëshkuar me 12 852 masa administrative drejtues automjetesh të cilët kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia Rrugore e Tiranës ka bërë të ditur se ka vijuar monitorimet dhe kontrollet intensive për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Sipas policisë, si rezultat i kontrolleve, gjatë kësaj jave janë arrestuar/proceduar në gjendje të lirë 37 shtetas konkretisht:
8 shtetas të arrestuar për drejtim automjetit në mënyrë të parregullt (gjendje të dehur);
6 shtetas të arrestuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
3 shtetas të arrestuar për drejtim automjetit në mënyrë të parregullt (pa leje drejtimi);
11 shtetas të proceduar në gjendje të lirë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor;
6 shtetas të mitur të proceduar në gjendje të lirë për drejtim automjeti në mënyrë parregullt (pa leje drejtimi);
1 shtetas i proceduar në gjendje të lirë për drejtim automjetit nën efektin e alkoolit;
1 shtetas i proceduar në gjendje të lirë për korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike dhe 1 shtetas i kapur në kërkim për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
“Gjithashtu, gjatë javës janë vënë 12 852 masa administrative, për shkelje të ndryshme rrugore, janë tërhequr karrotrec 20 automjete që kishin zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, si dhe janë bllokuar 17 automjete për shkelje të ndryshme rrugore. Më tej, është ushtruar kontrolluar ndaj 64 kamionëve dhe auto-betoniereve, ku është marrë masë administrative për shkelje të ndryshme rrugore për 5 drejtues kamionësh dhe 3 drejtues auto-betonieresh.”, njofton policia.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe të mos parkojnë në hapësirat e dedikuara për mjetet e transportit publik apo ku bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



