Ndërhyrjet në sistemin TIMS, dërgohet për gjykim ish-drejtori i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e Departamentit të Teknologjisë në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i cili akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave nga sistemi TIMS. Muça akuzohet për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike” dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie” që prej prillit 2024.
Hetimet kanë zbuluar se gjatë procesit të backup-it dhe ekstraktimit të të dhënave nga sistemi TIMS, Muça ka urdhëruar hapjen e portave USB dhe ka lejuar futjen e personave të paautorizuar në ambientet e Policisë. Sipas Prokurorisë, ai ka kryer veprime të paautorizuara duke lidhur një hard disk për të eksportuar të dhënat, një proces që nuk ishte i nevojshëm pasi sistemi automatik e kryen këtë veprim.
Sipas prokurorisë, Muça nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe nuk ka dërguar një memo për të njoftuar mbi problemet e konstatuara gjatë këtij procesi. Për më tepër, është vërtetuar se pajisja hard disk e sekuestruar ka ruajtur gjurmë të procesit të backup-it, që vërteton veprimet e paautorizuara të ish-drejtorit.
“I pandehuri Muça ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent. Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht”, thuhet në hetimet e Prokurorisë Tiranë.
Në lidhje me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, Prokuroria ka vendosur të ndajë çështjen. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta politike, me opozitën që ka aluduar se kopjimi i të dhënave mund të ishte bërë me urdhër të qeverisë në interes të grupeve kriminale. Mbi këtë ngjarje Kuvendi ngriti në 2024 edhe një komision hetimor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




