Hap dyert edicioni i tretë i Automotive Fair Albania, Gonxhja: Mjete të rralla. Së shpejti me industrinë tonë automotive

Aktualitet | 2 vite më parë

Edicioni i tretë i Automotive Fair Albania, eventi më i madh për të apasionuarit pas makinave, ka hapur dyert këtë të enjte (27 mars), duke bërë bashkë prodhues e koleksionistë të industrisë se automobilizmit.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja i konsideroi “xhevahire të paçmueshme” mjetet që ndodhen në këtë panair, duke i ftuar të apasionuarit pas makinave që të mos hezitojnë për t’i parë nga afër.

“Këtu keni mjete që nuk kanë çmim, janë aq të rralla dhe të bukura. Keni mes jush xhevahirë që nuk do i shihni dot kollaj në një vend tjetër”, tha Ministri.

Teksa ndau shifra mbi rritjen e numrit të automjeteve në vend, Ministri dha lajmin se së shpejti vendi ynë do të ketë edhe një industri automotive. Gonxhja tha se në ish-Uzinën e Autotraktorëve do të zhvillohet një projekt ku firma shqiptare do të prodhojnë shumë shpejt mjete shqiptare.

“Zhvillimi i sektorit e mbylli vitin 2024 me 960 mijë mjete rrugore ose 115% më shumë se viti 2013. Sot jemi me 400 mjete për 1 mijë banorë. Kjo tregon mirëqenie, zhvillim dhe kjo na bën që të kemi një sfidë edhe më të madhe sot si ta menaxhojmë trafikun, si ta përballojmë atë duke vënë në rend të dytë makinë dhe në rend të parë transportin urban, transportin publik. Duhet t’i drejtohemi shumë më tepër transportit të organizuar publik, ai ku ne vuajmë shumë dhe ku do të kemi reforma shumë të thella sëshpejti. Së shpejti industria jonë automotive pret që ne të hapim industrinë prodhuese të automobileve, të montimit dhe asamblimit të autobusëve në atë që sëshpejti do të jetë industria jonë automotive, qoftë në Uzinën e Autotraktorit ku do zhvillojmë një projekt për industrinë ushtarake dhe civile, ku me firma shqiptare do të prodhojmë shumë shpejt mjete shqiptare”, theksoi Ministri.

Ky edicion i tretë i Automotive Fair Albania do të zhvillohet në datat 27-30 mars në “Sheshin Italia” dhe “Nënë Tereza”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme