Kurti: Integrimi i plotë në NATO, synimi ynë i palëkundur

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se integrimi i plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut mbetet synim i palëkundur.
Duke folur në ceremoninë e ndërrimit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), Kurti tha se NATO-ja përveç se një aleancë ushtarake, është sinonim i sigurisë, lirisë dhe paqes së ndërtuar mbi bazën e partneritetit të fuqishëm të shteteve anëtare.
“Kësisoj, integrimi i plotë në NATO i Republikës së Kosovës mbetet synimi ynë i palëkundur, derisa zhvillimi i ushtrisë dhe forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse është duke u bërë pikërisht duke u mbështetur, respektuar dhe përmbushur standardet e vendosura nga NATO-ja.
Ne kemi dëshmuar që kemi një forcë moderne, multietnike, të gatshme dhe të aftë për misione ndërkombëtare. Kemi marrë pjesë dhe kemi realizuar me sukses operacione ndërkombëtare duke u shndërruar kështu nga konsumues, në ofrues dhe kontribues të sigurisë dhe garantues e roje të paqes.
E ardhmja e sigurisë në rajonin tonë nuk ndërtohet mbi retorika e mendësi të vjetra e të kaluara tashmë, por mbi bashkëpunimin dhe bashkëveprimin e ndërsjellë me fqinjë dhe aleatë. Republika e Kosovës sot është më e fortë se kurrë më parë, pikërisht për shkak se gjatë rrugëtimit të saj ka pasur dhe ka aleatë të fortë”, tha kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




