Edicioni i 63-të i këngës për fëmijë – 30 këngët konkurruese, kompozitorë emra të njohur e të rinj
Organizatorët e Festivalit të 63-të të Këngës për Fëmijë në Shkodër kanë publikuar listën me emrat e 30 kompozitorëve të përzgjedhur për eventin tradicional, i cili mbledh çdo vit artistët më të përkushtuar në krijimin e këngëve për fëmijë.
Në listë bëjnë pjesë emra të njohur të muzikës shqiptare si: Zef Çoba, Adrian Hila, Frederik Ndoci, Shpëtim Saraçi, por edhe kompozitorë të rinj që synojnë të sjellin risi dhe energji të re në skenën e muzikës për fëmijë.
“Ishte një numër shumë i madh dhe kjo bëri që dhe pranimi i këngëve mos të ishte 20 siç ka qenë gjithmonë por te jetë 30 numri i këngëve”, u shpreh Ermir Zoga, Përgjegjës i Artit, QKF “Kujtim Alija”.
Interesi ka qenë i madh për të marrë pjesë në edicionin e 63-të të festivalit sipas Zogës.
“Unë besoj realisht që festivali i Shkodrës është festivali më i rëndësishëm në Shqipëri”, u shpreh Zoga.
Ndonëse nuk janë zyrtarizuar akoma datat e festivalit, mendohet që nata finale të mbahet më 1 qershor dhe pritet të jetë një tjetër edicion i mbushur me ngjyra, kreativitet dhe mesazhe pozitive për fëmijët. Ky edicion synon të ruajë traditën, por edhe të përqafojë prurjet e reja në muzikën për fëmijë, duke sjellë një spektakël të denjë për publikun e vogël.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




