Bie lindshmëria në Vlorë, mjekët: Rritet interesi për metodat e fertilitetit
Lindshmëria në vend ka pësuar rënie. Nëse do t’i referohemi të dhënave që vijnë në rang kombëtar nga INSTAT, për vitin 2024 në Shqipëri kanë lindur vetëm 22,425 foshnja, duke regjistruar një rënie prej 5% krahasuar me vitin 2023, shifra më e ulët e lindjeve që nga viti 1934.
Edhe qyteti i Vlorës e ndjen këtë situatë. Mjekja gjinekologe Sofika Xhelilaj tha se rënia e lindshmërisë është pasojë direkte e pasigurisë ekonomike dhe shtyrjes së vendimit për të bërë fëmijë nga shumë gra. Në spitalin rajonal të Vlorës deri më tani për vitin 2025 janë regjistruar 65 lindje.
“Ky është një tregues që kemi një rënie të lindshmërisë. Arsyet janë më se shumti sociale, ekonomike dhe shoqërore, ku shumica e të rinjve janë larguar. Disa bëjnë një martesë në moshë më të madhe dhe bëjnë një lloj planifikimi familjar me jo më shumë se një apo dy fëmijë”, u shpreh gjinekologia Xhelilaj.
Një tjetër aspekt shqetësues që po vërehet gjithnjë e më shumë, sipas mjekëve specialistë, janë rastet në rritje të çifteve që përballen me vështirësi për t’u bërë prindër. Sipas gjinekologes Xhelilaj femrat po përballen me probleme si endometrioza apo sindroma e vezoreve policistike.
“Mosha mbi 33 vjeç për planifikimin e një shtatzënie, infeksionet seksualisht të transmetueshme, problemet me kiste dhe tumoret i shikojmë më shpesh. Kemi pasur shumë ndërhyrje kirurgjikale gjinekologjike të kësaj natyre”, tha ajo.
Paralelisht me rënien e lindshmërisë natyrore, është vërejtur një rritje e interesit për metodat moderne të fertilitetit, si fertilizimi in vitro.
Siç theksojnë edhe specialistët, identifikimi i hershëm i shenjave të vështirësive për të mbetur shtatzënë dhe trajtimi në kohë mund të bëjnë diferencën për shumë çifte. Ndaj, krahas politikave afatgjata, një rol të rëndësishëm luan edhe ndërgjegjësimi dhe edukimi shëndetësor për të rinjtë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




