Tërmeti në Mianmar, shkon në 2.800 numri i viktimave

Botë | 2 vite më parë

Ka shkuar në 2.886 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit shkatërrues me magnitudë 7.7 sipas shkallës Rihter, që goditi Mianmarin të premten e shkuar, duke u ndier edhe në vendet fqinje.

Sipas juntës ushtarake të vendit, 4.639 persona janë lënduar dhe 373 janë zhdukur pas fatkeqësisë natyrore. 

Ndërsa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë të vakëta, një 26-vjeçar, punonjësi i një hoteli në kryeqytetin e vendit, u nxor i gjallë nga rrënojat e objektit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi për dëme masive në qytetin e Sagaingut, pranë të cilit ishte epiqendra e tërmetit. Sipas Organizatës, një në tri banesa të qytetit janë shembur.  

Objektet e kujdesit shëndetësor, të dëmtuara nga tërmeti dhe me kapacitet të kufizuar, janë tejmbushur nga numri i madh i pacientëve. Në vend, ndërkohë, ka mungesë ushqimesh, uji dhe medikamentesh.

Disa grupe të armatosura, që luftojnë me qeverinë e vendit, kanë pezulluar për momentin aktivitetet antiqeveritare, por kreu i juntës u shpreh se operacionet ushtarake do të vijojnë, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve për sulmet ajrore. 

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme