Politika shqiptare, mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ikonës së kinematografisë, Margarita Xhepa

Aktualitet | 2 vite më parë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktores Margarita Xhepa.

Përmes një mesazhi drejtuar familjes së saj, komunitetit të artistëve dhe mbarë shqiptarëve, të cilët e kanë admiruar divën e skenës dhe ekranit, Presidenti i Republikës vlerësoi figurën e Margarita Xhepës si artiste, si grua, si nënë, por dhe rolin e saj në shoqëri.

“Me trishtim mësova se Margarita Xhepa, ylli i skenës dhe ekranit shqiptar, u shua sot. Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare.

Artistja e madhe, një figurë publike e respektuar, grua dhe nënë e nderuar, deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit dhe artin e saj e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtje të grave dhe fëmijëve.

Ngushëllimet e mia më të ndjera shkojnë për familjen, që sot iu nda nga jeta njeriu i tyre i shtrenjtë, për komunitetin e artistëve shqiptarë dhe për mbarë shqiptarët që e kanë ndjekur dhe duartrokitur artin që Margarita Xhepa dhuroi ndër vite”, – shkruan Presidenti i Republikës në profilin e  tij zyrtar në facebook.

Veç çmimeve dhe titujve në karrierën e saj artistike, aktorja Margarita Xhepa është “Nder i Kombit” dhe e nderuar me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Basha shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të aktores Margarita Xhepa: Ishte dhe do të mbetet një ikonë e skenës dhe kinematografisë shqiptare

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ikonës së teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa.

“Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të aktores sonë të madhe, Margarita Xhepa. Ajo ishte dhe do të mbetet një ikonë e skenës dhe kinematografisë shqiptare, me një karrierë të jashtëzakonshme që la gjurmë të pashlyeshme në çdo rol që interpretoi” – shkruan Basha.

Ai vlerësoi kontributin e pazëvendësueshëm të artistes dhe shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen, miqtë dhe komunitetin artistik.

Kreu i PD Sali Berisha mban një minutë heshtje për Margarita Xhepën: Ishte një artiste e papërsëritshme që shndriti në skenë dhe ekran

“Dua të shpreh ngushëllimet e mia për të ndjera familjes Xhepa, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve të Shqipërisë, pasi sot u nda nga jeta artistja më përfaqësuese e skenës shqiptare në disa dekada, Margarita Xhepa. Një artistë e papërsëritshme që shndriti në dhjetëra dhe qindra role në skenën e teatrit dhe në film. Me një talent të rrallë. Me një forcë interpretimi të jashtëzakonshëm. Ajo mbeti gjithnjë një nga artistet më të dashura, më të çmuara të Shqipërisë. Ndaj me këtë rast, duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Xhepa, me të gjithë miqtë dhe të afërmit e të ndjerës Margarita Xhepa, me të gjithë artdashësit që e kanë dashur, vlerësuar dhe çmuar kaq shumë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të saj.” tha ai.

Ilir Meta Me një postim në rrjetet sociale ka shprehur dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të ikonës së skenës dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të yllit të papërsëritshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa,” shkruan Meta, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të artistes në kulturën kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme