Spiropali: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, kryefjala e punës së Kuvendit

Kuvendi i Shqipërisë ka prezantuar platformën e re të konsultimit publik, një nismë që synon të rrisë transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset parlamentare.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali në fjalën e saj, u shpreh se, transparenca është një ndër vlerat dhe standardet kryesore të Kuvendit, e përcaktuar si e tillë edhe në Planin e ri Strategjik, 2025-2030.
“Transparenca është një ndër vlerat dhe standardet kryesore të Kuvendit, e përcaktuar si e tillë edhe në Planin e ri Strategjik, 2025-2030, i cili u paraprin dhe kalendarizon nevojat e brendshme të konsolidimit të Kuvendit të Shqipërisë si zemra e demokracisë dhe e republikës parlamentare, imperativat që shtrojnë para Kuvendit zhvillimet në shoqërinë shqiptare dhe, ajo që është më kryesorja, kërkesat dhe standartet e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.”
Ajo deklaroi sot se, anëtarësimi i Shqipërisë në familjen evropiane është sot kryefjala e punës së Kuvendit, ndaj theksoi ajo, risitë e Platformës së Konsultimit publik, do të jenë kryefjala më e aksesueshme dhe më e përdorshme nga partnerët e Parlamentit edhe e veprimtarisë së shoqërisë civile.
Duke vlerësuar punën që kanë bërë shërbimet e Kuvendit, Spiropali adresojë dy problematika duke sugjeruar duke e bërë këtë platformë më produktive dhe të dobishme, sidomos për procesin legjislativ.
“Sugjerimi i parë lidhet me zgjerimin e spektrit të akteve ligjore që i nënshtrohen platformës së konsultimit publik, duke përfshirë në procesin e konsultimit të gjitha aktet ligjore dhe duke mos e lënë këtë praktikë në dorë të vendim-marrjes së komisioneve të përhershme, vendime që në mjaft raste marrin konotacion politik. Sugjerimi i dytë lidhet me përshpejtimin e afateve kohore të procesit të konsultimit. Konkretisht, do të rekomandoja që aktet ligjore të hidhen në platformën e konsultimit menjëherë dhe automatikisht pas vendim-marrjes në Konferencën e Kryetarëve, pa pritur depozitimin e tyre në komisionet e përhershme.”- theksoi ajo.
Spiropali shprehu bindjen se, “duke përfshirë në procesin e konsultimit të gjitha aktet ligjore, pa dallime e përjashtime, dhe duke e bërë këtë procedurë sa më të thjeshtë, demokratizohet më shumë procesi legjislativ dhe bëhet më rezultativ bashkëpunimi ynë me qytetarët, publikun, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe gjithë shoqërinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




