Kryebashkiaku Tavo: Aeroporti i Vlorës drejt përfundimit, rrit turizmin edhe në Himarë

Kryetari i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo, ka bërë të ditur sot se aeroporti ndërkombëtar i Vlorës është drejt përfundimit.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Tavo shkruan se aeroporti ndërkombëtar i Vlorës do të shërbejë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të turistëve edhe në Himarë.
“Me një investim prej mbi 104 milionë eurosh dhe me mbi 1 milion pasagjerë në vite, me qindra vende të reja pune, e duke shërbyer si porta hyrëse për jugun e vendit, ky investim madhor e historik do të shërbejë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e numrit të turistëve edhe në Himarë, në aktivitetin e bizneseve të vogla të Himarës, në ekonominë personale dhe familjare të banorëve të thjeshtë të Himarës”, shkruan Tavo.
Më tej shkruan ai, aeroporti i Vlorës “do të shërbejë edhe si një pikënisje tejet e afërt ajrore për himarjotët që udhëtojnë në botë sikurse edhe ata që kthehen nga bota këtu, në Himarë, duke kursyer shumë kohë e të ardhura e duke siguruar komoditet udhëtimi përmes kësaj distance kaq të afërt ku ndodhet aeroporti ndërkombëtar i Vlorës”.
Kryebashkiaku Tavo shtoi se “ky investim, ndër shumë të tjerë, është dëshmi e zhvillimit të vendit dhe indikator i hapave të mëdha që po ndërmerren në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe në kthimin e vendit tonë si një prej destinacioneve më të frekuentuara turistike të Evropës”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



