Ndotja e vijës bregdetare në Shkodër, një alarm mjedisor që vjen nga lumenjtë

Aktualitet | 2 vite më parë

Ndotja e vijës bregdetare nga mbetjet plastike dhe inertet që derdhen në det përmes lumenjve po kthehet në një fenomen gjithnjë e më shqetësues.

Rasti i Lumit Buna, ku shkarkohen ujërat e lumenjve Drin, Kir dhe ato të Liqenit të Shkodrës është tregues i situatës problematike të lumenjve dhe dëmit që atyre po u shkaktohet nga ndërhyrjet njerëzore në mjedis.

“Sot problematika e ndotjes, mbetjet urbane, ndotjet nga kimikatet që transferohen nga toka, janë problematika shumë të mëdha që ndikojnë sot në jetën dhe ekzistencën e tyre”, tha biologia Aurora Dibra.

“Është shumë e rëndësishme që të ruhen qoftë brigjet e lumenjve, zona e plazhit. Po ashtu problem ky fenomeni i ndotjes, pasi plazhet duhet të jenë sa më të pastër. Njeriu duhet të ketë një vetësensibilizim”, tha Ervis Krymbi.

Bregdeti i Velipojës, veçanërisht gjatë muajve të dimrit, është një dëshmi e qartë e kësaj ndotjeje. Mbetje urbane dhe plastike mblidhen në masë në vijën bregdetare përmes grykëderdhjes së Bunës, duke krijuar një panoramë shqetësuese për mjedisin dhe turizmin.

Pastrimi i kësaj pjese të bregdeti ka qenë vazhdimisht në fokusin e organizatave mjedisore.

“Fatkeqësisht, njerëzit i trajtojnë lumenjtë si kosh mbeturinash dhe çdo lum derdhet në det. Pas një fortunë të madhë, mbetjet vijnë sërish afër njerëzve”, tha Mirsad Basha, drejtues i “Eko Mendje”.

Ekspertët e mjedisit bëjnë thirrje për zgjidhje afatgjata, përmes menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve urbane si dhe për trajtimin e ujërave të zeza.

Sipas tyre, vetëm në këtë mënyrë mund të rikuperohen ekosistemet dhe habitatet natyrore të lumenjve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme