Çelet grup-kapitulli II, Rama me zyrtarët e lartë të Brukselit: Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, më tepër se ambicie politike është një zgjedhje ekzistenciale

Politikë | 2 vite më parë

Integrimi i Shqipërisë në BE ishte kryefjala e konferencës së përbashkët për shtyp që u zhvillua në Luksemburg, mes kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski.

Aktiviteti u mbajt pas hapjes zyrtare të grup-kapitullit të dytë për negocim dhe përafrim me BE-në, që e shtyn vendin përpara në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

“Ne kemi prioritet zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Kapitujt që hapëm sot janë jetikë për ekonominë e Shqipërisë. Ju përgëzoj kryeministër Rama për përpjekjet tuaja ndaj rrugëtimit ndaj BE-së. Unë e di që shumica e popullit shqiptar ju mbështet në këtë rrugë. Përgëzoj Shqipërinë që është partnere e besueshme në fushën e sigurisë dhe mbështetëse e Ukrainës, si dhe përgëzoj qytetarët e Shqipërisë”, tha Sikorski.

Ndërsa kryeministri Rama, në fjalën e tij theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të punojë me përkushtim për mbylljen e negociatave me BE deri në 2027.

“Jam i sigurt që të dy miqtë e mi të dashur në të majtën time dhe shumë prej jush këtu e kanë dëgjuar këtë më parë, por ia vlen ta përsëris ‘Për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është shumë më tepër sesa një ambicie politike apo ekonomike, është një zgjedhje ekzistenciale jete, nga një vend, ku kurrë nuk jemi lejuar të zgjedhim për shekuj e breza të tërë tek një e ardhme, të cilën gjithmonë kemi dashur ta kemi’. E dimë shumë mirë dhe e kemi mësuar në mënyrën më të vështirë që liritë tona individuale, barazia jonë përpara ligjit dhe mënyra e jetesës që duam për fëmijët tanë dhe brezat tanë të ardhshëm nuk mund të garantohet askund tjetër, përveçse brenda Bashkimit Europian”, tha Rama.

Ndërsa Komisionerja Kos theksoi në konferencën e përbashkët se Shqipëria është një histori suksesi.

“Shqipëria është vërtet një histori suksesi e procesit tonë të zgjerimit dhe sot kemi hedhur një tjetër hap drejtë anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ne po punojmë me një ritëm shumë ambicioz dhe nëse Shqipëria realizon zbatimin e reformave të nevojshme, unë do të jem avokati juaj më i mirë në Bruksel dhe në të gjitha shtetet anëtare, kështu që mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE”, tha ajo.

Kur çelet grup-kapitulli i radhës? Rama: E kemi mësuar, me BE-në mos kërko kurrë datë

Në konferencën e përbashkët pas takimit ndërqeveritar BE–Shqipëri, gazetarja Denada Shkodrani nga Radio Televizioni Shqiptar pyeti në qoftë se është planifikuar një datë e përafërt për çeljen e grup-kapitullit tjetër gjatë presidencës polake.

Grup-kapitulli II që u hap të hënën është i dyti në renditje, por i treti ndër grup-kapitujt e përgjithshëm të hapur nga Shqipëria pas “Themeloreve” dhe grup-kapitullit VI “Për çështjet e jashtme dhe sigurinë”.

“Kjo kërkon unanimitet siç e dini, për shembull për Ukrainën nuk kemi unanimitet ndërkohë që për Shqipërinë po shkon më mirë. Problemi me datat është që ose ke standarde ose ke data, nuk mund t’i kesh të dyja bashkë. Do të bëjmë maksimumin që të përshpejtojmë sepse populli i lirisë i takon perandorisë dhe në këtë rast vullnetarisht,” u përgjigj kryediplomati polak Sikorski.

“Dua të shtoj që kemi besim të plotë që presidenca polake do të vazhdojë të  shtyjë gjërat përpara duke marrë në konsideratë atë çfarë përmendi edhe Marta. Ëndrra jonë është të jemi pjesë e këtij Unioni në 2030 ndaj plani është që të përmbyllim të gjitha negociatat në 2027, që është kohë shumë e shkurtër ndaj na duhet që çdo ditë, të punojmë pa reshtur dhe ndaj na duhet të kemi edhe më shumë punë për të bërë. Kështu që të gjithë anëtarët e ekipit të Shqipërisë që janë të lidhur me grup-kapitullin 2 janë këtu dhe mund ta imagjinoj që tashmë janë në stres sepse do të kenë shumë më tepër për të bërë por në të njëjtën kohë dua të falënderoj ata dhe gjithkënd në ekip sepse po punojnë çmendurisht dhe po japin rezultate deri më tani. Ne e kemi mësuar në kurriz që me BE-në mos kërko kurrë një datë, por duhet të jesh gjithmonë gati për datën sepse ne jemi këtu për të dalë në takim me BE-në,” deklaroi kryeministri Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme