Prezantohet iniciativa “Paqja Fiskale”, Rama: Hyjmë në një fazë të re. Ibrahimaj: Marrëdhënie e re biznes-shtet

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj prezantuan sot (24 prill) në Elbasan “Planin e Paqes Fiskale”. Në fjalën e saj, ministrja tha se përmes kësaj iniciative synohet të vendoset një marrëdhënie e re mes bizneseve dhe shtetit dhe do të ofrojë zgjidhje për detyrimet e prapambetura të sipërmarrjeve. Ajo tha se kjo iniciativë do të jetë 3 komponentë: Tatimi i dakordësuar mbi fitimin; Rishikimi i pasqyrave financiare ( 5 vitet e fundit); Falja e detyrimeve tatimore dhe kamatëvonesave. Ibrahimaj dha edhe lajmin për kamatëvonesat, një masë kjo për të lehtësuar detyrimet e akumuluara.
“Paqja Fiskale është një marrëdhënie e re që ne si administratë duam të vendosim me biznesin dhe tatim paguesit, ku biznesit do t’i jepet mundësia të rregullojë marrëdhënien me shtetin në të kaluarën dhe të ecë drejt të ardhmes me një siguri dhe parashikueshmëri”, tha Ibrahimaj.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi “Paqen Fiskale” si një “fazë të re”. Po ashtu ai bëri me dije se po punohet që fiskalizimit t’i mbivendoset inteligjenca artificiale.
“Hyjmë në një fazë të re me këtë ‘Paqe Fiskale’ dhe ta bëjmë në një nivel më gjithëpërfshirës atë që Ministria e Financave dhe Turizmit kanë nisur të bëjnë me hotelet, për shkak se ne jemi të vetëdijshëm që ka informalitet jo të vogël, pasi nga njëra anë kemi rritje të numrit të turistëve, por nga ana tjetër nuk kemi një rritje që e pasqyron këtë kur vjen puna te deklarimet që bëjnë hotelet. Më kujtohet kur më thoshin hotelet ule TVSH në 8% dhe do formalizohemi, jo 8, por 6% e çuam, por nuk ndodh kështu. Ne nuk dua, sepse e dimë që të sulmojmë me inspektorë e inspektime në sezon. Po punojë me Ministrinë e Financave dhe AKSH-in për një proces shumë më të avancuar në administrimin e të ardhurave ku fiskalizimit do t’i mbivendoset inteligjenca artificiale. Inspektimi do kryet nga IA dhe administrata do jetë e fokusuar para ekraneve dhe do t’ju ndjekë të gjithë nëpërmjet syrit të AI. Kur sheh anomali atëherë sinjalizon dhe sinjalizimi i shkon nëpërmjet inspektorit, por jo fizikisht, i shkon biznesit”, theksoi Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




