Berisha: Do të vendosim mësuesit në piedestal, pagesa minimale prej 1500 eurosh do jetë objektiv kryesor

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një takimi me zgjedhësit në Gjirokastër ka parashtruar programin elektoral të forcës politike që ai drejton me theks tek arsimi dhe tek aspektet sociale të jetës së qytetarëve.

Sipas tij, programi i PD-së, në radhë të pare, ka në thelb dhembshurinë njerëzore.

“Ne jemi komb bamirës. Ne e kemi virtyt bamirësinë. Por është i pashpirt shteti që i lë burrat dhe gratë që kanë shkrirë jetën e tyre të numërojnë kafshatën, të mos marrin dot ilaçet, me një pension qesharak. Është i pashpirt shteti kur merr prej tyre taksa 8 miliardë dhe 760 mijë qytetarëve u jep 16 milionë. Është i pashpirt shteti që nuk mendon se ato familje të cilat u japin dy vakte ushqim fëmijëve, ato janë subjekt sëmundjesh dhe shumë e shumë të këqijash të tjera.”, tha Berisha.

Nga këtu, sipas tij, do të fillojë edhe programi i PD-së nesër në qeverisje.

“Ne kemi përcaktuar minimumin jetik si emergjencë të emergjencave. Çdo shqiptar 200 euro. Çdo pensionist 200 euro. Nga 760 mijë pensionistë, mbi 560 mijë marrin më pak se 170 mijë lekë se janë me pension të pjesshëm. Do marrin 200 euro. Të gjithë të papunët, 200 euro. Të gjithë personat në ndihmë ekonomike, 200 euro. Të gjithë burrat dhe gratë që nuk kanë asnjë lloj sigurimi, do marrin 200 euro. Të gjithë jetimët do marrin 200 euro. Të gjithë studentët me bursë do marrin 200 euro.”, tha Berisha.

Kreu i PD-së deklaroi se paratë për të përmbushur këto premtime janë të gjitha sepse buxheti në rradhë të parë mbështetet mbi moralin dhe ligjin, i cili detyron që paratë t’ua kthesh atyre që ua ke marrë, pasi buxheti i tëri përbëhet nga taksat e qytetarëve.

“Duke marrë parasysh këtë parim, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet e ulëta, dyfishuam ndihmën ekonomike. Pra, nuk është parim shqiptar ky, nuk është parim i Sali Berishës ky, ky është parim i çdo qeverie të përgjegjshme.”, tha Berisha.

Sipas tij, në vitin 2013, pensioni në Shqipëri ishte 143 mijë lekë, ndërsa pensioni në Mal të Zi ishte 138 mijë lekë.

“Sot Mali i Zi pensionin e ka 450 mijë lekë. Po pse e ka? Sepse kryeministri i Malit të Zi, dhe po kështu i Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, çdo kryeministër zbaton parimin, paratë qytetarëve, rroga dhe pensione. Kurse kjo qeveri nxori teorinë se fondi i pensioneve aq është, dhe se po të marrim nga buxheti për pensionistët, biem në greminë. Po si nuk ra Mali i Zi, Serbia, Maqedonia në greminë? Jo miq, këta i vjedhin paratë. Dhe u them unë ju, në ato miliarda që kanë vjedhur në veprat publike që nuk i kanë ndërtuar, apo i kanë vlerësuar 10 herë më shtrenjtë se kushtojnë, janë paratë e pensioneve tuaja, rrogave tuaja. Dhe kjo merr fund.”, deklaroi Berisha.

Sipas tij, nuk mund të bëhet fjalë për Gjirokastër Madhështore, kur shkollat mbyllen njëra pas tjetrës, kur universiteti bie çdo vit, kur spitali që ka pasur mjekë të shquar, mjekë të zot, mjekë të shkëlqyer, sot për apandesit duhet të shkosh në Tiranë të operohesh.

“Ne do bëjmë gjithçka që qytetari të ketë shërbimin shëndetësor që meriton. Do bëjmë çdo gjë që ju ilaçet të mos u mungojnë dhe të keni ilaçe të të njëjtit standard që ka Greqia, që ka Italia. Qëndrojmë përsëri tek ata që janë më në nevojë. Nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro, pensionistët, të papunët do të marrin kartën e konsumatorit me të cilën do blejnë 20% më lirë se të tjerët. Ato para do u kthehen në vit dhe janë rreth 450 euro. Pra a nuk është ky një çlirim nga varfëria ekstreme e këtyre qytetarëve? Shoqëria bëhet më e drejtë. Ilaçet, lista e republikës italiane do jetë lista që do firmoset muajin e parë të qeverisë së ardhshme. Pra, në këtë mënyrë ne ndahemi nga mjerimi, nga varfëria e skajshme.”, tha Berisha.

Ai premtoi se PD do të rivendosë arsimin si kusht që të rinjtë shqiptarë të shkollohen në shkolla të mira.

“Do të vendosim mësuesit në piedestal, pagesa minimale prej 1500 eurosh, do jetë objektiv kryesor”, premtoi Berisha.

“Garantoj çdo biznes të vogël se tavani i TVSH-së do kalojë në 180 mijë euro. Se tavani për tatim fitimin do kalojë në 180 euro. Se hapësira publike do pjesëtohet me 5. Se bashkia nuk do mund vendosë kurrë taksa më shumë se 1% të xhiros. Se energjia do blihet me 6 lekë dhe jo 18 si sot. Se fatura e ujit do përgjysmohet. Se banka do financojë me kredi të buta të mbuluara nga qeveria investimet në biznesin e vogël. Biznesi i vogël është gjenerator punësimi, por ne nuk injorojmë kurrë biznesin e mesëm dhe të madh. Ndaj dhe kemi vendosur të kemi barrën fiskale më të ulët në Evropë. Taksa 10% mbi tatim fitimin. TVSH-ja bie në 15%. Vetëm me uljen në 10% të tatim fitimit mbi të ardhurat personale, rrogat mbi minimale rriten automatikisht 13%. Përveç kësaj, jam për t’u zotuar këtu para jush se rritja e rrogave e pensioneve është një nga qëllimet më madhore gjersa ne të dalim përsëri në krye të vendeve të rajonit për rroga dhe pensione. Ne ishim, do dalim përsëri. Asnjë vend nuk ka pasuritë e Shqipërisë. Ato duhet t’i gëzojnë qytetarët shqiptarë. Këto pasuri duhet të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët shqiptarë.”, tha Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme