Rama: 11 maji, rruga që çon Shqipërinë në BE ose e kthen mbrapsht

Kryesocialisti Edi Rama në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Korçë ka deklaruar se 11 maji do të jetë përcaktues për Shqipërinë, nëse vendi do të shkojë para me integrimin në BE apo do të kthehet pas siç kërkon sipas tij, Partia Demokratike.
Sipas tij, e vetmja zgjidhje që rrjedh nga 11 maji është rruga drejt Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe për ta sjellë BE-në në vendin tonë.
Kjo do të bënte sipas Ramës, që reforma në drejtësi dhe gjithçka që ka arritur vendi deri më tani të mos kthehet pas.
“Vijnë këta dhe ca të habitur që thonë se si mund të votohet Partia Socialiste, ka gjysmën e qeverisë në burg, këta kanë gjysmën tjetër në hetime, këta janë të zhytur aty, këta janë të zhytur këtu. E para këta, nuk dinë matematikë, ne kemi pasur 62 ministra dhe nuk janë me gishtat e njërës dorë ata që kanë pasur probleme me drejtësinë. Kush e solli këtë realitet të ri? E sollëm ne dhe PS-ja me vendosmërinë më të madhe”, u shpreh kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ai vuri në dukje se me reformën në drejtësi tani vendi ndodhet në stadin ku po përpiqet të bëjë barazi para ligjit, ndërsa shtoi se mazhoranca nuk ka pse e ul kokën se mes radhëve të saj dalin drurë të shtrembër.
“Ja ku është Shqipëria që përpiqet të bëjë barazi para ligjit. Do të ulim kokën ne se dalin disa drurë të shtrembër. Ne e krijuam këtë realitet të ri. Doni që kjo punë të vazhdojë apo të kthehemi mbrapsht. Kjo gjë bëhet e pakthyeshme duke futur Shqipërinë në BE dhe duke sjellë BE-në këtu. Vetëm atëherë nuk del dot asnjë karafil, asnjë buf kënete dhe asnjë shitës qilimash që të thotë ta kthejmë nga e para”, tha Rama.
Ai specifikoi më tej se vota e 11 majit “nuk është vota aritmetike për të krijuar një qeveri socialiste, këtu fjala është për të krijuar shumicë shpirtërore, por për ta bërë Shqipërinë si Evropën e Ballkanit. Është një vota që ka brenda edhe një vendim historik, vendimin që shqiptarët do të marrin në një moment historik, sepse për herë të parë qysh prej kur ra muri i izolimit Evropa na ka hapur derën dhe ne jemi te pragu gati për t’u kapërcyer”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




