BERZH ul pritshmërinë, rritja ekonomike në Ballkan e Europën Qendrore e prekur nga tarifat e Trump

Ekonomi | 1 vit më parë

Tarifat e vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump pritet të ndikojnë në rritjen ekonomike në vendet e Europës Qendrore dhe ato të Ballkanit. Kjo, sipas raportit më të fundit të publikuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili paraqet perspektivën e rritjes ekonomike në shumë vende të botës, pas vendosjes së tarifave amerikane ndaj importeve nga vendet e tjera.

Sipas Bankës Europiane, shumë pak vende kanë mbetur pa u prekur nga efektet e tarifës universale prej 10 përqind të presidentit amerikan Donald Trump, por ato që do të ndikohen më shumë janë vendet e Ballkanit Perëndimor, shtetet baltike dhe Europa Qendrore, ku tarifa pritet të përkthehet në një rënie të rritjes së tyre ekonomike.

Për rajonet që janë identifikuar se do të kenë rënie, BERZH thotë se ato veprojnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë përmes tregut gjerman. Shumë shtete të Europës Qendrore dhe Ballkanit varen nga eksportet drejt Gjermanisë për mbështetjen e ekonomive të tyre. Eksportet çeke drejt Gjermanisë përbëjnë një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të atij vendi, ndërsa ato të Maqedonisë së Veriut 20 përqind të prodhimit të saj të brendshëm bruto.

Efekti i tarifave të Trump dhe ngadalësimi i kërkesës së jashtme nga Gjermania, e cila është prekur, ndikojnë në rënien e rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit, veçanërisht Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi.

Në total, prodhimi i brendshëm bruto i Ballkanit Perëndimor, që në vitin 2024 u rrit me 3.6 përqind, këtë vit pritet të rritet me 3.2 përqind, 0.4 përqind më pak se parashikimi që BERZH kishte bërë në muajin shkurt të këtij viti, para se presidenti amerikan të vendoste tarifat ndaj importeve që hynin në SHBA.

Ndërsa prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë vitin e kaluar u rrit me 4 përqind, këtë vit pritet të rritet me 3.5 përqind, 0.2 përqind më pak se parashikimi i muajit shkurt. Vendi ynë pritet të jetë në të njëjtat nivele edhe vitin e ardhshëm.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me seli në Londër, u krijua në vitin 1991 për të ndihmuar kombet e ish-bllokut sovjetik të krijonin ekonomi tregu të lira, por që atëherë ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme