“Selia e Shenjtë është e gatshme të ndihmojë armiqtë të takohen”/ Mbahet sot mesha për fillimin e papnisë së Leonit XIV

Udhëheqësi i ri i Kishës Katolike, Papa Leo XIV, do të fillojë sot zyrtarisht papatin e tij me një Meshë ceremoniale në Sheshin e Shën Pjetrit.
Liturgjia do të shënojë fillimin zyrtar të shërbesës së tij si pasardhës i detyrës së lartë katolike.
Në orën 10:00, pritet të fillojë ceremonia e kurorëzimit të Papa Leo XIV , e cila po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, pritet të tërheqë mbi 250,000 besimtarë në Sheshin e Shën Pjetrit.
Tashmë 200 delegacione të huaja janë në Romë për të ndjekur shërbesën.
Në fjalimet e fundit, Papa ka bërë thirrje për paqe globale dhe drejtësi sociale.
Konkretisht, sipas Guardian , ceremonia do të përfundojë me mbërritjen e Papës në automjetin papnor – më i njohur si Papamobile – në Sheshin e Shën Pjetrit dhe në Via della Conciliazione, ku ai do të përshëndetë turmën.
Papa do të hyjë më pas në Bazilikën e Shën Pjetrit me një procesion kardinalësh, ku do të marrë dy dhurata që simbolizojnë papatin.
E para është një unazë ari me vulën e peshkatarit, e quajtur kështu për nder të Shën Pjetrit, i cili ishte Papa i parë.
Unaza simbolizon fillimin dhe fundin e papatit. Në fakt, kur një papë vdes, ajo shkatërrohet nga një kardinal i lartë.
Deri në vitin 1842, unaza përdorej për të vulosur dokumentet zyrtare të nënshkruara nga papa.
Dhurata e dytë është një pallium (Pallium është një fjalë latine që nënkupton një mbulesë ose një sipërfaqe të gjerë që përdoret për të mbuluar trupin) prej leshi qengji, që simbolizon rolin e papës si bari, dhe vendoset mbi supet e tij para fillimit të shërbesës.
Një mori udhëheqësish ndërkombëtarë pritet të jenë të pranishëm në inaugurimin e Papa Leo XIV në Vatikan të dielën, tha Selia e Shenjtë të shtunën.
Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga zëvendëspresidenti JD Vance , i shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Presidentja peruane Dina Boluarte do të jetë gjithashtu e pranishme, ndërsa Italia do të përfaqësohet nga kryeministrja Giorgia Meloni.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është gjithashtu midis më shumë se 150 delegacioneve ndërkombëtare të regjistruara për të marrë pjesë, së bashku me kancelarin gjerman Friedrich Merz .
Udhëheqës të tjerë botërorë që priten në Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit përfshijnë kryeministrin kanadez Mark Carney, atë të Argjentinës Javier Milei, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidentin izraelit Isaac Herzog dhe atë të Kolumbisë Gustavo Petro.
Midis familjes mbretërore evropiane të pranishme do të jenë Mbreti Spanjoll Felipe dhe Mbretëresha Letizia.
Eventi pritet të përfshijë disa takime dypalëshe midis personaliteteve që do të vizitojnë vendin.
Papa Leo XIV ka zgjedhur të mbajë një qëndrim publik mbi konfliktet e armatosura në mbarë botën. Në deklaratat dhe postimet e tij në rrjetet sociale, ai bën thirrje për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve dhe hedh poshtë militarizmin: “Armët nuk i zgjidhin problemet. Ato vetëm sa i përkeqësojnë gjërat. Ata që mbjellin paqe mbeten në histori”, shkroi ai në mënyrë karakteristike.
Në një nga postimet e tij të para në X, Leo XIV shkroi: “Selia e Shenjtë është e gatshme të ndihmojë armiqtë të takohen, në mënyrë që ata të mund të shohin njëri-tjetrin në sy dhe të rivendosin dinjitetin që meritojnë: dinjitetin e paqes. Me zemër të hapur, u them udhëheqësve të kombeve: le të takohemi, le të meditojmë, le të negociojmë!”
Në ceremoninë e përurimit të emisionit të shenjtë Papnor të Papa LEO XIV marrin pjesë nga Shqipëria një delegacion i lartë shtetëror, i përfaqësuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe Ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Nga Kisha Katolike, do të jetë i pranishëm Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore (KISH ) Imzot Gjergj Meta dhe Zëvendëspresidenti i KISH, Imzot Simon Kulli dhe Imzot Arjan Dodaj.
Pjesë e delegacionit nga Kisha Ortodokse do të jenë Hirësi Nikolla, Mitropolit i Apolonisë dhe i Fierit dhe At Ignat Todri.
Nga Komuniteti Mysliman do të jetë i pranishëm Bujar Spahiu dhe Ejup Lila.
Nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane do jetë i pranishëm Kryegjyshi Baba Mondi, si dhe gazetari Ferdinand Samarxhi.
Delegacionet shoqërohen nga Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetin e Vatikanit, Znj Majlinda Frangaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




