Strukturë e re për kontrollin e SPAK, Dumani kritikon rekomandimet e qeverisë: SPAK monitorohet nga KLP dhe ILD
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka prezantuar sot (19 maj) rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025.
Në fjalën e tij, ku të pranishëm ishin kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela dhe kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, Manja e vuri theksin te respektimi i të drejtave të njeriut, rritja e hetimeve për korrupsion në nivele të larta, si dhe krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse.
“Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm. Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit. Kërkohet rritje e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta, dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Krijimi i njësive të specializuara për krimin kibernetik është një nevojë strategjike. Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të vazhdueshme në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnimi për antikorrupsion, krim të organizuar dhe krime kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar.
Ne qëndrojmë krah drejtësisë, jo për ta drejtuar atë, por për ta fuqizuar akoma më shumë pavarësinë e saj— që prokurorët të ndihen të lirë të bëjnë detyrën e tyre, dhe krimi të mos ndiejë më asnjë hapësirë për të vepruar”, tha Manja.
Por drejtuesi i SPAK-ut shprehu rezerva sa i përket disa prej rekomandimeve, teksa tha se janë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshëm. Po ashtu, kreu i SPAK-ut shtoi se mungojnë edhe të dhënat statistikore që do të justifikonin nevojën për ndërhyrje apo për një strukturë e re mbikëqyrëse.
“SPAK tashmë është subjekt i mbikëqyrjes nga KLP, KLD dhe vetë struktura e tij. Krijimi i strukturave të reja të vlerësimit dhe integritetit, pa analizë të mekanizmave ekzistuese, rrezikon të sjellë një mbingarkesë burokratike.
Rekomandimet prioritare të KM në luftën kundër kriminalitetit janë pjesë e përditshme e prokurorëve dhe ne po përpiqemi që këto rekomandime të gjejnë zbatim. Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkretë që justifikon nevojën për ndërhyrje. Rekomandimet duken subjektive dhe vështirë të matshme. Rekomandimet, në një pjesë të tyre, përdorin terma të përgjithshëm, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim të qartë për to. Kjo krijon pasiguri për zbatimin praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshëm nga institucionet. Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme, dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshëm, duke rrezikuar të mbeten deklarativ dhe jo të zbatueshëm. Në tërësinë e tyre, rekomandimet janë të mirëpritura, por nga ana tjetër, disa prej tyre në mënyrën si janë konceptuar dhe formuluar, paraqesin vështirësi për t’u zbatuar”, u shpreh ai.
Ndërsa kreu i Prokurorisë së Përgjithshme u ndal duke evidentuar si problematikë kryesore plotësimin e organikës dhe infrastrukturën.
“Ngritja e seksioneve të posaçme, e njësive të specializuara kërkon njerëz. Kjo e relativizon shumë mundësinë e ndjekjes së rekomandimeve,” deklaroi z. Çela.
Rekomandimet e qeverisë për vitin 2025:
- Sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut në qendër të punës së prokurorisë
Kërkohet respektimi strikt i të drejtave procedurale të të pandehurve dhe viktimave, shmangia e vonesave të pajustifikuara në hetime dhe përdorimi proporcional i masave të sigurimit. Shteti i së drejtës nis nga një hetim korrekt dhe i paanshëm. Prokuroria duhet të promovojë përdorimin e procedurave të posaçme, si marrëveshjet për pranimin e fajësisë dhe gjykimet e shkurtuara, veçanërisht për të miturit dhe rastet ku ndëshkimi mund të jepet nëpërmjet alternativave efektive ndaj burgimit. - Forcimi i luftës kundër kriminalitetit
Kërkohet rritje e hetimeve të nisura kryesisht, ndjekje penale efektive për korrupsionin, veçanërisht në nivele të larta, dhe hetime financiare për pasuri me origjinë kriminale. Duhet forcuar bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe krimit të organizuar. Krijimi i njësive të specializuara për krimin kibernetik është një nevojë strategjike. - Integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria
Prokuroria duhet të forcojë mekanizmat për kontrollin e brendshëm dhe llogaridhënien, përtej vetingut. Duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët. Kërkohet miratimi i standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin, si dhe publikimi i praktikave të punës në përputhje me legjislacionin për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. - Eficienca dhe ngritja e kapaciteteve institucionale
Nevojitet krijimi i strukturave të specializuara për çështje komplekse, investim në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve të vazhdueshme në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë. Trajnimi për antikorrupsion, krim të organizuar dhe krime kibernetike duhet të jetë prioritet kombëtar. - Përdorimi i metodave bashkëkohore të hetimit
Përdorimi i inteligjencës artificiale, teknologjive digjitale dhe analizës së të dhënave janë thelbësore për hetimin e krimeve komplekse. Kërkohet intensifikim i metodave proaktive të hetimit, përfshirë përgjimet, ndjekjet financiare dhe mbikëqyrjen elektronike, si dhe bashkëpunim i ngushtë me strukturat hetimore të Policisë së Shtetit. - Bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht për hartimin dhe monitorimin e politikave penale, shkëmbimin e statistikave dhe përmirësimin e ndihmës juridike ndërkombëtare. Synimi ynë është një mekanizëm i përbashkët për analizën dhe ndjekjen e progresit në luftën kundër kriminalitetit. - Bashkëpunimi ndërinstitucional
Duhet ndërtuar një strategji e koordinuar ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera publike. Marrëveshjet për shkëmbimin e të dhënave, përcaktimi i pikave të kontaktit dhe transparenca ndërinstitucionale janë kyçe për suksesin në përballjen me krimin. - Bashkëpunimi ndërkombëtar
Pjesëmarrja aktive në strukturat si Eurojust, Europol dhe EMPACT është thelbësore për trajtimin e krimeve ndërkufitare. Krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore është mjeti më efektiv për ndarjen në kohë reale të provave dhe për të ndjekur penalisht krimin e organizuar ndërkombëtar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



