“Java e Europës”, Hasani: Nuk është vetëm një ëndërr, është drejtimi ku duam të jemi

Identiteti europian ishte sot në fokus të aktivitetit që çeli “Javën e Europës” në Tiranë.
Të pranishëm në çeljen e këtij aktiviteti ishin, Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Europës, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe profesorë, akademikë dhe studentë.
Në fjalën e tij ambasadori Silvio Gonzato u shpreh se “Java e Europës 2025” është një ftesë për t’u ndier europianë në mënyra nga më të ndryshmet.
Duke theksuar se “Java e Europës” synon të tregojë se ku duam të shkojmë ne si europianë në këto kohë të pasigurta, ambasadori Gonzato nënvisoi se, “Do të dëshironim që Europën ta shihnim jo thjesht si një vend gjeografik, por ta shihnim si një përvojë, një përjetim që ne e ndajmë me njëri-tjetrin si një imagjinatë kolektive. Dëshironim të shihnim se çfarë do të thotë të jesh europian përtej kufijve gjeografikë. Pra, çfarë na bashkon ne, pavarësisht larmisë, diversitetit që ka vetë Europa dhe ta shohim Europën si një vend në të cilin ne jo vetëm e pranojmë larminë e diversitetin, por edhe dimë ta shijojmë atë”.
Gonzato theksoi se Europa duhet të shihet si një vend ku liria e shprehjes është e rëndësishme.
Nga ana e tij, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shpreh se Shqipëria është e angazhuar në përshpejtimin e reformave dhe mbylljen e negociatave për integrimin në BE deri në 2027-n.
“BE është i vetmi ent politik në botën e sotme që zgjerohet në paqe dhe ka një listë vendesh kandidate që janë të prirura të bëhen pjesë të BE-së dhe ky hap mbështetet në ndërtimin e demokracive liberale që përbehet nga tri shtylla kryesore: humanizmi, mbizotërimi i ligjit dhe tregu i lirë”, tha Hasani.
Hasani vlerësoi se, Shqipëria ka histori të shumta për të treguar humanizmin saj, ndërsa vijon angazhimin për forcimin e ligjit dhe zhvillimin e tregut të lirë.
“Reforma në drejtësi, në qeverisjen e Kryeministrit Rama, ishte një nga reformat më masive dhe e para hodhi gur themeli në krijimin e një drejtësie të re të pavarur dhe objektive”, u shpreh ministri.
Më tej ministri Hasani shtoi se, Shqipëria ka punuar fort për të harmonizuar politikat, institucionet dhe praktikat e saj me standardet e BE-së.
“Sot Shqipëria është në një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë në BE, me synimin për të përfunduar të gjitha reformat kryesore deri në vitin 2027 dhe për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian. Ndërsa me avancojmë, BE është krye të këtij angazhimi dhe na mbështet në këtë moment kyç për procesin”, deklaroi Hasani.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




