Arrestohet doganieri dhe 3 punonjës policie, lejuan kalimin e kamionit me drogë në kufi

Aktualitet | 1 vit më parë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” pasi kanë lejuar kalimin e një kamioni me drogë përmes pikë kufitare të ‘Hanit të Hotit’.

Ndalimi i tyre ka ardhur pas hetimeve disa mujore mbi procedimin penal të vitit 2023. Në këtë mënyrë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) “në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka ekzekutuar urdhërat e ndalimit për tre punonjës policie dhe një doganier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Të arrestuarit janë Lekë Ç. punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”, Fatjon H., punonjës policie në Pikën Kufitare “Hani i Hotit”, Tonin M., punonjës policie në Pikën Kufitare  “Hani i Hotit” dhe Selami E., me detyrë Doganier në Pikën Kufitare  “Hani i Hotit”.

Sipas Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, tre punonjësit e policisë dhe doganieri kanë lejuar kalimin e kamionit me targa shqiptare i cili ka rezultuar i ngarkuar me lëndë narkotike të llojit ‘Canabis Sativa’ pas kontrollit nga autoritetet malazeze.

“Urdhrat e ndalimit vijnë pas hetimeve të thelluara me metoda speciale në lidhje me ngjarjen e datës 17/09/2023, ku një kamion me targa shqiptare, pasi ka kryer procedurat e daljes nga Republika e Shqipërisë nëpërmjet Pikës Kufitare “Hani i Hotit”, në kundërshtim me ligjin dhe procedurat standarde, është ndaluar nga policia e Pikës së Kalimit Kufitar “Bozaj”, Mali i Zi, pasi në kamion është gjetur një sasi prej 442.084 kg lëndë narkotike e dyshuar “Canabis Sativa”, thuhet në njoftimin e AMP-së.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme