Mburojë financiare pas tërmetit të 2019-ës, Shqipëria drejt sigurimit të detyrueshëm të banesave, pasoja për ata që nuk sigurohen

Financë | 1 vit më parë

Pas shkatërrimit të madh të shkaktuar nga tërmeti i nëntorit 2019, vendi ynë duket se do të bëjë një hap thelbësor drejt menaxhimit më efikas të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.

Ministria e Financave, me mbështetjen e Bankës Botërore, ka hartuar një projektligj ambicioz, të cilin e ka hedhur për konsultim publik, “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet”. Ky ligj synon të mbulojë humbjet financiare të pronarëve të banesave, duke garantuar kompensim të shpejtë dhe efikas në rast të dëmeve të shkaktuara nga tërmetet.

Shqipëria renditet si vendi i parë në Evropë dhe i 61-ti në botë për ekspozimin ndaj rreziqeve natyrore, me tërmetet dhe përmbytjet si kërcënimet kryesore.

Tërmeti i vitit 2019, me magnitudë 6.4 ballë, preku mbi 200,000 njerëz, mijëra banesa dhe shkaktoi dëme ekonomike që arritën në rreth 7.5% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit.

Kjo ngarkesë e rëndë financiare mbi buxhetin e shtetit dhe familjet, evidentoi urgjencën për një mekanizëm të qëndrueshëm mbrojtjeje.

Pse është i nevojshëm ky ligj?

Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, ky projektligj vjen si përgjigje ndaj vulnerabilitetit të lartë të vendit tonë. Vlerësimet tregojnë se humbjet potenciale financiare nga tërmetet me periudhë kthimi 250-vjeçare mund të arrijnë deri në 2.08 miliardë euro.

Qëllimi kryesor është të sigurojë që dëmet e shkaktuara në banesa nga tërmetet të kompensohen, duke reduktuar kështu barrën financiare mbi qytetarët dhe duke shmangur nevojën për fonde të mëdha emergjence nga buxheti i shtetit pas çdo fatkeqësie, shkruan rtsh.al.

“Ky model frymëzohet nga praktikat e suksesshme ndërkombëtare, veçanërisht nga vende si Turqia dhe Rumania, të cilat kanë arritur të ulin ndjeshëm kostot fiskale të katastrofave natyrore.”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Si do të funksionojë sigurimi i detyrueshëm?

Projektligji përcakton krijimin e Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet, një person juridik publik në formë shoqërie aksionare, nën pronësinë e Ministrisë së Financave. Ky Fond do të jetë përgjegjës për:

Lidhjen dhe administrimin e kontratave të sigurimit. Kjo do të thotë se të gjitha banesat do të kenë detyrimin të lidhin një kontratë sigurimi. Kjo përfshin edhe banesat sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si dhe ato të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilët do të financojnë pagesën e primit nga buxhetet e tyre.

Fondi synon mbulimin e dëmeve material. Sigurimi do të mbulojë vetëm dëmet materiale në pronë, duke përjashtuar dëmtimet trupore, dëmet jopasurore, sendet brenda banesës, apo humbjet financiare indirekte.

Nga ana tjetër, ky ligj përcakton edhe primin dhe dëmshpërblimit. Shuma maksimale e dëmshpërblimit dhe primet e sigurimit do të përcaktohen bazuar në metodologji aktuariale dhe modelin e rrezikut nga tërmetet për Shqipërinë.

Ligji synon edhe trajtimin e shpejtë të dëmeve. Fondi do të angazhojë ekspertë të licencuar për vlerësimin e dëmeve, dhe pagesa e dëmshpërblimeve pritet të realizohet brenda tre muajve nga plotësimi i dokumentacionit.

“Fondi do të organizojë çdo vit programin e risigurimit për të shpërndarë rrezikun me kompani ndërkombëtare, duke përjashtuar këtë proces nga rregullat e prokurimit publik. Do të krijohet një bazë të dhënash shtetërore (Regjistri i Sigurimit të Detyrueshëm) për të mbajtur informacionet e nevojshme mbi pronat e siguruara”, nënvizohet në relacion.

Aplikimi dhe pagesa do të bëhen përmes e-Albania. Kontrata e sigurimit do të mund të krijohet edhe përmes platformës elektronike e-Albania, duke thjeshtuar procesin për qytetarët.

Pasojat për ata që nuk sigurohen

Projektligji parashikon masa shtrënguese për subjektet që nuk lidhin kontratën e sigurimit të detyrueshëm. Këto masa përfshijnë mos-përfitimin e shërbimeve kadastrale, mos-përfitimin e shërbimeve nga platforma e-Albania dhe mos-përfitimin e shërbimeve nga Qendra Kombëtare e Biznesit, shkruan rtsh.al.

Kjo thekson vendosmërinë e qeverisë për të siguruar zbatimin e plotë të këtij detyrimi ligjor. Kostot fillestare për ngritjen dhe funksionimin e Fondit do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Këshilli i Ministrave pritet të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

Sipas Ministrisë së Financave, “miratimi i këtij ligji shënon një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më të qëndrueshëm dhe proaktiv për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë në Shqipëri, duke ofruar një mbrojtje afatgjatë për pronën dhe mirëqenien e qytetarëve”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme