Më shumë siguri dhe produkte më cilësore, forcohet mbikëqyrja e tregut dhe e rregullave për tregtinë online

Qeveria shqiptare po ndërmerr hapa të rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve jo-ushqimore që qarkullojnë në tregun shqiptar.
Një projektligj i ri, aktualisht në proces konsultimi publik, synon të forcojë mbikëqyrjen e tregut, të mbrojë më mirë konsumatorët dhe të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet më të fundit të Bashkimit Evropian.
Ky ndryshim ligjor vjen si përgjigje ndaj rregulloreve të reja të BE-së, veçanërisht Rregullores 2019/1020, e cila synon të sigurojë që vetëm produkte të sigurta dhe në përputhje me kërkesat e larta të BE-së, të tilla si shëndeti, siguria, mbrojtja e konsumatorëve dhe mjedisi, të jenë të disponueshme në treg.
Përafrimi me këto standarde është thelbësor për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 1 “Lëvizja e lirë e mallrave”.
Çfarë sjell ligji i ri?
Projektligji adreson disa sfida aktuale në tregun shqiptar dhe synon të sjellë ndryshime thelbësore për produkte më të sigurta dhe cilësore. Qëllimi kryesor është të garantojë që çdo produkt jo-ushqimor i vendosur në tregun shqiptar, brenda vitit 2030, të jetë në përputhje të plotë me standardet evropiane. Kjo do të rrisë besimin e konsumatorëve dhe do t’i mbrojë ata nga produktet e pasigurta.
Ligji parashikon rritjen e kapaciteteve financiare, njerëzore dhe teknike të institucioneve shqiptare përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut. Kjo do t’i bëjë kontrollet më efektive dhe do të sigurojë zbatimin e ligjeve të reja., shkruan rtsh.al.
“Me rritjen e shpejtë të blerjeve në internet, projektligji synon të adresojë boshllëqet aktuale në mbikëqyrjen e produkteve të shitura online. Do të përcaktohen qartë përgjegjësitë e operatorëve ekonomikë dhe ofruesve të shërbimeve online, duke siguruar që produktet e shitura në internet të jenë po aq të sigurta sa ato të shitura në dyqane fizike. Kjo do të ndihmojë në identifikimin e subjekteve përgjegjëse edhe kur produktet vijnë nga jashtë vendit.”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.
Projektligji parashikon edhe detyrime të reja për bizneset. Për 20 grupe specifike produktesh, do të kërkohet që të ketë një operator ekonomik (prodhues, importues ose përfaqësues) të regjistruar në Shqipëri, i cili do të mbajë përgjegjësinë për përputhshmërinë dhe sigurinë e produktit.
Po kështu do të forcohet edhe kontrolli në dogana. Ligji i ri do të forcojë kontrollet doganore për produktet që hyjnë në Shqipëri, duke siguruar që vetëm produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet të lejohen të kalojnë kufirin.
Lidhur me Strategjinë Kombëtare e Mbikëqyrjes së Tregut, do të hartohet një strategji afatgjatë (për katër vjet) për të koordinuar dhe zhvilluar politikat e mbikëqyrjes së produkteve jo-ushqimore, duke përfshirë sektorët tradicionalë dhe digjitalë.
Nga ana tjetër projektligji parashikon edhe transparencë dhe informacion. Për këtë qëllim do të krijohet një Zyrë e Vetme Ndërlidhëse dhe një sistem elektronik për shkëmbimin e informacionit, si dhe një Pikë Kontakti për Produktet pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI). Këto mekanizma do të sigurojnë që si bizneset ashtu edhe konsumatorët të kenë akses të lehtë në informacionin mbi rregullat, sigurinë e produkteve dhe ndryshimet ligjore.
Pse është e nevojshme kjo ndërhyrje?
Ligji aktual, i miratuar në vitin 2011, kishte harmonizuar pjesërisht rregullat e vjetra të BE-së. Megjithatë, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme për të adresuar problematika si:
• Mungesa e uniformitetit në zbatim ndërmjet vendeve.
• Pabarazitë në nivelin e sigurisë së produkteve.
• Rreziku nga produktet e pasigurta dhe të falsifikuara.
• Koordinimi i dobët institucional.
• Sfida që paraqet tregtia elektronike.
Për Shqipërinë, ndërhyrja ligjore është jetike për të përmbushur detyrimet e saj në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe procesit të negociatave për anëtarësim në BE. Zbatimi i këtij projektligji pritet të sjellë një treg më të sigurt, konkurrues dhe transparent për të gjithë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




