Dodik “do të luftojë” kundër vendimit të Gjykatës që e largon atë nga presidenca: Do të kërkoj ndihmë nga Rusia, SHBA

Rajon | 1 vit më parë

Presidenti serbo-boshnjak, Milorad Dodik, tha të premten se do të kërkojë ndihmën e Rusisë dhe të presidentit amerikan Donald Trump për të zhbërë një vendim të Gjykatës, e cila ia ndalon atij postet zyrtare për gjashtë vite.

Kreu i krahinës serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republikës Sërpska, tha në një konferencë për shtyp se ai nuk e pranon vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila po ashtu mbajti në fuqi gjykimin e mëhershëm kundër tij në lidhje me daljen kundër qëndrimeve të të dërguarit ndërkombëtar për paqen në vend.

“Nuk e pranoj verdiktin. Do të kërkoj ndihmë nga Rusia dhe do t’i shkruaj një letër administratës amerikane,” u shpreh z. Dodik.

Bashkimi Europian tha se vendimi duhet respektuar, ndërsa presidenti Dodik sqaroi se do t’u thotë ndihmësve të tij që të mos komunikojnë më me ambasadorët e Bashkimit Europian, që ka një forcë paqeruajtëse dhe ka shpërndarë së fundmi forca ushtarë rezerve shtesë në kuadër të krizës së fundit.

Vendimi i Gjykatës në muajin shkurt përfshiu edhe dënimin me një vit burg të z. Dodik, që sistemi boshnjak i drejtësisë mund ta zëvendësojë edhe me një gjobë të thjeshtë. Avokati i presidentit serbo-boshnjak tha se do ta çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojë një vonesë të përkohshme para zbatimit të vendimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme