Macron dhe Vuçiq diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi dhe situatën në Bosnje

Rajon | 1 vit më parë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, ku u diskutuan zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në fokus të bisedës ishte dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe situata politike në Bosnje-Hercegovinë.

Në një postim në rrjetin social X, Macron theksoi rëndësinë e dialogut dhe dënoi çdo veprim të njëanshëm që mund ta dëmtojë atë. Kjo deklaratë vjen në një kohë kur dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i ngrirë, ndërsa Kosova ka një qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara.

Macron thekson stabilitetin, Vuçiq mbron interesat serbe

Gjatë bisedës, Macron theksoi rëndësinë e stabilitetit, unitetit dhe sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës, si dhe respektimin e sundimit të ligjit. Kjo bisedë u zhvillua një ditë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Serbisë, i cili vlerësoi se siguria në rajon është minuar seriozisht.

Ky vlerësim i Serbisë vjen pas vendimit të Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës që dënoi presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me një vit burgim dhe gjashtë vjet ndalim për ushtrim të aktivitetit politik, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë.

Vuçiq, nga ana e tij, theksoi angazhimin e Serbisë për paqe dhe bashkëpunim, duke shtuar se mbrojtja e popullit serb është ndër interesat kryesore kombëtare. Ai i përsëriti Macronit se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj dialogut dhe ligjit ndërkombëtar.

Tensionet pas dënimit të Dodikut

Pas dënimit të tij, Dodik ka deklaruar se nuk e pranon vendimin dhe ka paralajmëruar se Republika Sërpska do të “hakmerret”. Sipas ligjit zgjedhor të Bosnje-Hercegovinës, mandati i Dodikut si president do të ndërpritet sapo vendimi i gjykatës të bëhet i formës së prerë.

Vuçiq e cilësoi situatën e krijuar si më të rëndën për Serbinë që nga viti 2008, një referencë për vitin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kjo deklaratë tregon qartë lidhjen e Beogradit midis stabilitetit rajonal dhe çështjeve kombëtare serbe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme