1 ditë nga përfundimi i afatit, Ambasada britanike në Kosovë thirrje politikës: Të zbatohen vendimet e Kushtetueses

Rajon | 1 vit më parë

Një ditë para përfundimit të afatit të përkohshëm të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila u ndaloi deputetëve të zgjedhur çdo veprim apo vendim për konstituim të Kuvendit deri më datën 8 gusht, Ambasada Britanike në Kosovë u ka bërë thirrje subjekteve politike që të respektojnë dhe zbatojnë vendimin e gjykatës.

Me një postim në rrjetin social Facebook, Ambasada shkruan se aftësia e gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë.

“Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka procedura të përcaktuara mirë për shqyrtimet dhe vendimet e saj. Aftësia e Gjykatës për të funksionuar në mënyrë të pavarur është jetike për demokracinë e Kosovës. Kjo duhet të respektohet dhe promovohet nga të gjitha palët, dhe vendimet e Gjykatës të respektohen dhe zbatohen”, shkruan ambasada.

53 seanca plenare kanë dështuar për konsitutimin e Kuvendit të Kosovës, pasi subjektet politike nuk propozonin emrat e anëtarëve të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Kjo thirrje vjen në një moment delikat për skenën politike të Kosovës, ndërsa Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Së fundmi, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se ka tërhequr kërkesën e saj për shqyrtim nga Kushtetuesja për seancën konstituive, pasi gjyqtar raportues në këtë çështje ishte caktuar Radomir Laban, një gjykatës serb. Presidentja e konsideroi atë si një “person të rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme