Von der Leyen në Mal të Zi: “Vendi shumë pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian”

Rajon | 1 vit më parë

“Synimi që Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian është pranë arritjes.”

Kështu deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa hapi konferencën e parë për investime, Mali i Zi–BE, pranë Tivatit.

“Ju jeni shumë ambiciozë dhe kjo na pëlqen,” tha shefja e Komisionit Evropian.

Ajo e vlerësoi përafrimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Podgoricës me atë të Bashkimit Evropian, veçanërisht pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

“Agresioni rus kundër Ukrainës e ka riformësuar kontinentin tonë. Çdo komb evropian duhet të zgjedhë vendin dhe anën e tij dhe Mali i Zi e ka bërë tashmë këtë zgjedhje shumë qartë. E vlerësojmë thellësisht vendimin për të dërguar ushtarë malazezë për të mbështetur misionin tonë të trajnimit për Ukrainën,” tha von der Leyen, duke theksuar se Mali i Zi ka bërë hapa pozitivë dhe ka ardhur koha të investohet në shtetin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Malit të Zi përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është në prag të anëtarësimit në BE.

“Deri në fund të vitit 2026 do t’i mbyllim të gjithë kapitujt e negociatave, në mënyrë që të bëhemi anëtar i bllokut deri në fund të vitit 2028,” u shpreh Millojko Spajiç. Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian është partneri më i rëndësishëm strategjik dhe investuesi më i madh në Mal të Zi, ndërsa shtoi se investime masive e presin vendin e tij gjatë viteve në vijim. 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme