Më 31 tetor seanca për shkarkimin nga detyra e kryebashkiakut, Kushtetuesja: Erion Veliaj shprehu vullnetin për të marrë pjesë

Gjykata Kushtetuese ka njoftuar Erion Veliajn për datën e seancës plenare publike që do mbahet më 31 tetor, për ankimimin mbi shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës.
Kushtetuesja ka vënë në dijeni edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve me qëllim marrjen e masave për shoqërimin e Veliajt në seancë, në rast se ky i fundit do të shprehë vullnetin për të qenë pjesë në gjykim. Në dijeni është vënë edhe SPAK.
“Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.
Në vijim, në datën 20.10.2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me sa më sipër”, njofton Kushtetuesja.
Kujtojmë se një muaj më parë, Qeveria “Rama 4” firmosi shkarkimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas një mungese 7-mujore në detyrë, duke qenë nën arrest me burg nga SPAK për disa akuza. Qeveria i dërgoi më pas presidentit Bajram Begaj për dekretim datën e zgjedhjeve në 6 bashkitë e vendit dhe kreu i shtetit dekretoi datën 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore.
Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit për Bashkinë e Tiranës, bashki e cila drejtohej nga Erion Veliaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




