Tradita e nxjerrjes së rakisë – Ruajtja dhe trashëgimia e artit artizanal në fshatin Andon Poçi
Aleksandra Thoma nga fshati Andon Poçi i njësisë administrative Odrie në Bashkinë e Gjirokastrës ka mësuar artin e nxjerrjes së rakisë që prej një moshe të re.
Ky zanat i trashëguar nga familja e saj është kthyer në pasion dhe Aleksandra vazhdon ta ruajë me fanatizëm edhe sot. Ka tre ditë që Aleksandra ka nisur prodhimin e rakisë dhe planifikon ta përfundojë këtë sezon brenda dhjetë ditëve.
Ajo tregon se çdo hap i procesit është i rëndësishëm për të ruajtur cilësinë dhe shijen autentike të produktit.
“E kam mësuar nga familjarët që në moshë të vogël”, shprehet ajo.
Procesi i nxjerrjes së rakisë kërkon kujdes të madh. Kazani i saj është i vjetër dhe punon me dru, duke i dhënë rakisë një aromë të veçantë dhe tradicionale. Aleksandra ndjek të gjitha fazat me përpikëri, nga fermentimi e deri tek distilimi në kazanin e vjetër.
Përtej përfitimeve ekonomike, më e rëndësishme për të është ruajtja e një tradite shekullore. Ajo shpreson që edhe brezat e ardhshëm të tregojnë interes për këtë zanat dhe të vazhdojnë artin e nxjerrjes së rakisë, duke mbajtur gjallë kulturën e zonës .
Gazetare: B.Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




