Zgjedhjet në Kosovë-Kurti: Kemi fituar në Gjilan, Mitrovicë, Obiliq dhe Fushë-Kosovë

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se krahas Gjilanit, në raundin e dytë të zgjedhjeve, forca e tij politike ka fituar edhe në Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
“Së pari më lejoni t’i falënderoj të gjithë qytetarët që e shfrytëzuan të drejtën për të zgjedhur në mënyrë demokratike kryetarët e komunave në 18 sosh në këtë raund të dytë. Lëvizja Vetëvendosje është hera e katërt që merr pjesë në zgjedhje lokale.
Herën e parë në vitin 2013 kemi fituar një komunë, herën e dytë në vitin 2017 kemi fituar 3 komuna, herën e tretë në vitin 2021 kemi fituar 4 komuna dhe në bazë të të dhënave që i kemi marrë nga komisionerët tanë kësaj radhe kemi fituar në 7 komuna. Ky është një sukses i LVV-së.
Natyrisht se kemi synuar edhe më shumë se kaq”, u shpreh Kurti pas daljes nga selia e LVV-së në Prishtinë.
Gjithashtu, Kurti përgëzoi katër kryetarët e komunave që kanë qeverisur në katërvjeçarin e kaluar në Podujevë, Shtime, Kamenicë dhe Gjilani, ndërsa ka përgëzuar kandidatët e LVV-së që ishin në balotazh, pasi sipas tij të gjithë të tjerët janë bërë bashkë kundër këtij subjekti politik.
“Përveç kësaj është e qartë se kemi fituar edhe në Mitrovicë dhe kemi fituar edhe në Fushë Kosovë e Obiliq. I falënderoj kandidatët tanë, ekipet e tyre, shtabet zgjedhore dhe aktivistët tanë të cilët kanë pasur një betejë të jashtëzakonshme meqenëse në të gjitha këto raste të gjithët të tjerët janë bashkuar kundër LVV-së.
Pra, LVV është ballafaquar me të përbashkëtën e tyre, e cila është një situatë e paprecedentë në situatën politike të Kosovës, andaj ky është një sukses i Vetëvendosjes dhe i qytetarëve.
Po i presim rezultatet ende nga komunat e tjera. Me siguri që do t’u drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, por tash më duhet të shkoj me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë Kosovë, pastaj në Kastriot, e mandej natyrisht në Mitrovicë”, ka theksuar Kurti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




